Foto: AGK/Facebook

Gazetaret ukrainase fillojnë kursin e gjuhës shqipe

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, ka bërë të ditur se gazetaret ukrainase në Kosovë kanë nisur kursin e gjuhës shqipe.

Në njoftim potencohet se qëllimi i këtij kursi është integrimi i këtyre gazetareve në Kosovë.

“Iryna Synelnyk, Lyudmila Makey, Maryna Zhyvotkova, Oksana Chykanch dhe Viktoriia Kaidash, sot, kanë filluar kursin e Gjuhës Shqipe. Kursi është paraparë në programin “Journalists in Residence – Kosovo”, dhe për qëllim ka integrimin e kolegeve ukrainase në Kosovë”, thuhet në njoftimin e AGK-së.

Tutje, bëhet e ditur se kursi do zgjasë dy orë në javë, derisa organizmi i tij është mundësuar nga organizata JRS Kosovo.

“Gazetarët së bashku me ligjëruesen, Mirishahe Haziraj, për dy orë në javë do të mësojnë fillimisht elementet bazike të shqipes, për të kaluar më vonë në faza tjera. Kursi i Gjuhës Shqipe është mundësuar nga organizata humanitare JRS Kosovo, e cila njëherësh në baza mujore u siguron pako ushqimore dhe higjienike gazetareve nga Ukraina”, thuhet më tej në njoftim.

Programi “Journalists in Residence – Kosovo”, është inicuar nga European Centre for Press and Media Freedom ECPMF dhe European Federation of Journalists – EFJ mbështetet financiarisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Teksa, është duke u zbatuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me ECPMF-në, ku deri më tani kanë strehuar tetë gazetarë.

Foto: AGK/Facebook
Foto: AGK/Facebook