Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës - AGK. FOTO: AGK/Facebook.

Gazetarët pengohen gjatë raportimit për vrasjen në Prishtinë, reagon AGK

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka njoftuar se gazetarët, Gresa Nitaj – Klan Kosova, Leonita Bajrami – Top Channel, dhe Venhar Isufi –Tëvë1, janë penguar, sot [21.08.2024], gjatë raportimit për një vrasje që ka ndodhur mbrëmë në Kodrën e Trimave në Prishtinë.

Në njoftim thuhet se në lidhje të drejtpërdrejt shihet një burrë duke e kapur për krahu gazetaren Nitaj, e duke mos e lënë të raportojë.

“Në një lidhje të drejtpërdrejt të gazetares Gresa Nitaj në një edicion informativ në Klan Kosova, shihet një burrë duke e kapur për krahu gazetaren, e duke mos e lënë të raportojë atë, si dhe duke i kërkuar të largohen edhe ekipet e Top Channel dhe Tëvë1”- thuhet në reagimin e AGK-së.

Me këtë rast, Asociacioni i ka bërë thirrje Policisë që në situata të tilla të krijojë kushte të favorshme për gazetarët.

“Për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, pengimi i punës së gazetarëve është i papranueshëm, andaj i bëjmë thirrje Policisë së Kosovës, që në situata të tilla të krijojë kushte të favorshme për gazetarët që të kryejnë punën e tyre, pa u cenuar, e penguar”- thuhet në njoftim.