Gazetarët e Kosovës kundër paketës ‘anti-shpifje’ të Edi Ramës

Asosascioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) i është bashkuar mediave,organizatave dhe shoqërisë civile në Shqipëri si dhe organizatave ndërkombëtare, të cilat po kërkojnë nga qeveria shqiptare e Edi Ramës, të tërheqin paketën ‘anti-shpifje’ ndaj mediave.

Me miratimin e ndryshimeve në Ligjin për mediat dhe Ligjin për komunikimet elektronike, do të lejohen të bllokohen menjëherë faqet e internetit të mediave, të vendosen gjoba të papërballueshme për gazetarët dhe penalizime deri në mbylljen e portaleve.

“AGK vlerëson se këto dy drafte e censurojnë drejtpërdrejt median online dhe rrezikojnë seriozisht lirinë e shprehjes. E drejta e fjalës, në çdo vend demokratik trajtohet nga kodet e etikës dhe organet vetërregulluese të medias”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Thirrjes për tërheqjen e këtyre dy projektligjeve, i janë bashkuar edhe Federata Evropiane dhe Ndërkombëtare të Gazetarëve dhe përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Mediave, Harlem Desir, i cili paralajmëroi se “gjobat e tilla mund të çojnë në mbylljen e mediave dhe të shihen si presion indirekt”.