Gazetarët e Kallxo.com, Kreshnik Gashi e Behar Mustafa fitojnë çmimin e parë të BE-së për gazetari hulumtuese | Foto: Kallxo.com, 25.09.2024
Gazetarët e KALLXO.com shpërblehen me çmimin e parë nga BE për gazetari hulumtuese
Gazetarët e KALLXO.com , Kreshnik Gashi dhe Behar Mustafa janë shpërblyer me çmimin e parë për gazetari hulumtuese nga Bashkimi Europian, lidhur me hulumtimin e tyre për korrupsionin në nivel lokal e qëndror që mundësoi qinda ndërtime ilegale në zonën e mbrojtur në Brezovicë.
Në një hulumtim të publikuar në KALLXO.com në shtator 2023 u shpalosën detaje se si biznesmenë shqiptarë ishin bërë ‘zot’ të Brezovicës duke korruptuar zyrtarë në nivelin lokal në Shtërpcë, por edhe në nivel qendror, skema këto që mundësuan ndërtimin e mbi 800 ndërtesave e hoteleve në zonën e mbrojtur të Brezovicës.
Derisa, më 21.12.2021 hetuesit e Krimeve të Rënda dhe Prokuroria e Shtetit nisën bastitjset në zonat e prekura nga korrupsioni në Brezovicë, përfshirë ndërtesën e komunës e shtëpinë e ish-kryetarit, Branislav Nikoliq.
Por dy vite para transmetimit të këtij hulumtimi, KALLXO.com kishte intervistuar një sinjalizues, intervista me të cilin nuk është publikuar për shkak të hetimeve të Prokurorisë.
“Asnjë leje ndërtimi nuk ka mundur të merret pa u dhënë 10 mijë euro. Kemi pagu deri në 200- 250 mijë euro për një leje. Ne kemi qenë zot të Brezovicës, kemi bo çka kemi deshtë, kemi arrit me e ndryshu emrin e lumit, prej lum në rrjedhë ujore. Kemi pre male e kemi rrëzu lisa qindra vjeçar”.
Në emisionin e transmetuar në “Kallxo Përnime” dëshmohet se Dosja “Brezovica” kishte nisur të hetohej në vitin 2016, mirëpo atëkohë hetimet kishin ngecur. Provat që janë përmendur në emision tregojnë që ndërtimet në Brezovicë nisën pas vitit 2012 kur disa kompani shqiptare nisën të ndërtonin vila në atë zonë.
Të dhënat tregojnë se biznesmenët shqiptarë kishin krijuar lidhje në Komunën e Shtëprcës dhe përmes korrupsionit arrinin të merrnin leje të ndërtimit në komunë.
Mitoja sipas të dhënave është shoqëruar me mbi 3 milionë euro të dhëna mito, të cilat dyshohet të kenë shkuar tek ish-kryetari i komunës Branislav Nikoliq, por edhe tek zyrtarë të tjerë, përfshirë njerëz në Qeverinë e Kosovës dhe Ministrinë e Ambientit.
Në këtë zonë të mbrojtur kishin ndërtuar edhe figura të larta politike e gjyqtarë.
Por përpos marrjes së lejeve përmes korrupsionit, MMPHI po ashtu kishte kontribuar në shkatërrim në zonës së mbrojtur të parkut të Sharrrit, pasi inspektorë ndërtimi “nuk ndërmorrën hapa” , madje kishin mundësuar ndryshime në emërtimet nga lumë, në rrjedhë ujore.
Vendin e dytë për gazetari hulumtuese nga BE-ja e mori Alberta Hashani nga Betimi për Drejtësi dhe vendin e tretë e fituan gazetarët Dafina Halili, Aulonë Kadriu dhe Dardan Hoti nga Kosovo 2.0.
Ky është viti i katërt që gazetarët e KALLXO.com shpërblehen me vendin e parë në serinë e çmimeve të Bashkimit Europian.
2020 – Ekipi i KALLXO.com kishte fituar vendin e 3-të të BE-së me hulumtimin “Rrjeti i kompanive të familjarëve të AAK-së, betonojnë autostradën Prishtinë – Gjilan”.
2021 – Ekipi i KALLXO.com kishte fituar vendin e parë dhe të tretë me hulumtimet e tyre. Çmimi i parë e kishte marrë me hulumtimin për “Monopoli me dritë të diellit”, ndërsa çmimin e vendit të tretë e kishte marrë me hulumtimin e ndarë në dy pjesë “Kazinot në Karaçevë I” dhe “Kazinot në Karaçevë II”.
2022 – Ekipi i KALLXO.com kishte fituar vendin e parë me hulumtimin për rrjetet e kontrabandës në veriun e Kosovës dhe lidhjet e tyre me shpëlarjen e parave.
2023 – Ekipi i KALLXO.com kishte fituar çmimin e parë me hulumtimin për korrupsionin në Prokurorinë e Apelit. Hulumtimi ishte ndarë në dy pjesë. “Blerja e Kryeprokurorit I” dhe “Blerja e Kryeprokurorit II”.
2024 – Çmimi i parë me hulumtimin për korrupsionin në rastin “Brezovica”.
Shënim: Artikulli është edituar me informata shtesë nga ngjarja e ndarjes së çmimeve të BE-së për gazetari hulumtuese.