Gazetarët e KALLXO.com fitojnë dy nga çmimet e KOMF-it për të drejtat e fëmijëve

Dy gazetarë të KALLXO.com janë shpërblyer me çmime nga Koalicioni i OJQ-ve për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve – KOMF për hulumtimet e tyre.

Gazetarja Arbisa Shefkiu u shpërblye me çmim për hulumtimin “Ngacmimi seksual në një shkollë të Malishevës”

Në storjen televizive në KallxoPërnime ajo trajton një rast konkret, pretendimin e ngacmimit seksual të një të miture nga mësuesi i saj, rast ky i denoncuar nga vetë nxënësja tek përgjegjësit e institucioneve.

Denoncimi ishte bërë edhe me insistim të shoqërisë së viktimës që sipas saj, mësuesi i kishte shënuar mesazh në telefon për të dal nga klasa, dhe kur kjo ndodhe e njëjta përfundon në përqafimin e mësimdhënësit.

Këtë përqafim mësuesi e kishte quajtur si përqafim prindëror.

Autorja Arbisa Shefkiu ka gjetur se Prokuroria e Gjakovës e kishte mbyllur rastin me një procedurë të ndërmjetësimit mes vëllait të viktimës dhe mësuesit.

Shefkiu tha se ky çmim është shumë i rëndësishëm pasi e konsideron inkurajues faktin që një 15 vjeçare ngrit zërin për një gjë të tillë.

“Për mua është shumë e rëndësishme që storia është vlerësuar nga komisioni vlerësues, në trajtim të kësaj teme kam pas ndjenja sa dëshpëruese po aq edhe inkurajuese për shkak se një 15 vjeqare e ka ngritur zërin dhe nuk ka pasur frikë si në shumë raste tjera”, ka thënë Shefkiu.

Ajo u bëri thirrje të gjitha grave e vajzave të tjera që të mos heshtin karshi çështjeve të tilla.

“Ky është edhe një mesazh për shumë vajza e gra tjera që raste të tilla të mos i fshehin çështje të tilla. Ne si ekip i KALLXO.com jemi munduar që në asnjë formë të mos identifikohet viktima por as personi i apostrofuar”, shtoi tutje Shefkiu.

Sipas saj, me këtë storje kanë gjetur se në nivel vendi mungon një Kod etik i mësimdhënësve që do rregullonte probleme të tilla.

Derisa, gazetari Valon Fana u shpërblye për hulumtimin “Dyshime për keqpërdorim të të dhënave të fëmijëve kosovarë nga organizata ‘World Vision’

Organizata ndërkombëtare dyshohet se përmes një programi për mbështetjen e fëmijëve në komunën e Lipjanit ka keqpërdorur të dhënat e tyre.

Autori ka intervistuar disa prindër që po dyshojnë se janë keqpërdorur të dhënat e fëmijëve të tyre që u janë publikuar fotografitë të shoqëruara me video e tekst të karakterit religjioz.

Disa prindër kishin dhënë pëlqimin që të dhënat të përdoren por jo që të shfrytëzohen në kontekstin religjioz.

Me këtë rast janë marrë policia dhe Agjencia për Informim dhe Privatësi, derisa komuna ka ndërprerë bashkëpunimin me këtë organizatë.

Gazetari Valon Fana tha se ndjehet i lumtur që u vlerësua për këtë shkrim që flet për keqpërdorim të dhënave të fëmijëve në Komunën e Lipjanit.

“Jam shumë i lumtur që u vlerësua shkrimi im që flet për një dyshim të bazuar për keqpërdorim të dhënave të rreth 3 mijë fëmijëve të komunës së Lipjanit. Falënderoj ekipin e zyrës Ligjore në Kallxo.com me të cilët kemi gjetur shkeljet në këtë rast”, ka thënë Fana.

Ndërsa katër çmimet e tjera të ndara nga KOMF kanë shkuar për gazetaren e Albanian Post, Blerta Ahmeti; gazetaren e televizionit T7, Ardita Rashiti dhe gazetarët e Grupit Koha, Dilaver Polisi dhe Fitim Gashi.