Gazetarët e KALLXO.com fitojnë çmim për gazetari hulumtuese nga Zyra e BE-së

Zyra e BE-së sot ka ndarë tri çmime për gazetari hulumtuese në Kosovë, përmes një takimi online.

Gazetarja Serbeze Haxhijaj me hulumtimin “Fëmijët e padukshëm të Kosovës: Trashëgimia e fshehtë e të dhunuarve në luftë” ka fituar çmimin e parë.

Çmimin e  dytë e ka fituar gazetarja Leonida Molliqaj me hulumtimin “Mungesa e sigurisë ushqimore në Kosovë kërcënon shëndetin publik”.

Ndërsa çmimin e tretë e kanë fituar gazetarët e KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Afërdita Fejzullahu me hulumtimin  “Rrjeti i kompanive të familjarëve të AAK-së, betonojnë autostradën Prishtinë – Gjilan.”

Hulumtimi “Fëmijët e padukshëm të Kosovës” Trashëgimia e fshehtë e të dhunuarve në luftë” sjell fakte se si fëmijët e lindur nga përdhunimi gjatë luftës i mijëra grave shqiptare të Kosovës nga forcat serbe janë mbajtur sekret, duke u braktisur, adoptuar ose rritur në qendra strehimi, ndërsa shumë pak nëna që pranuan të flasin në kushte anonimiteti mbesin të tmerruara nga mundësia e ekspozimit në publik.

“Ky shpërblim është më shumë se një nder, është homazh për këto viktima që nuk kanë parë ende drejtësi” tha autorja Serbeze Haxhijaj.

Hulumtimi “Mungesa e sigurisë ushqimore në Kosovë kërcënon shëndetin publik” sjell shifrat e helmimeve për shkak të kontrollit të dobët të ushqimit.

“Arsyeja pse jam  e gëzuar për këtë çmim është se qasja për të drejtat në ushqim është e drejtë themelore e njeriut” tha  Molliqaj.

Hulumtimi “Rrjeti i kompanive të familjarëve të AAK-së, betonojnë autostradën Prishtinë – Gjilan”  zbardh mënyrën se si kompania e familjes së zëvendësministrit të Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, është përfshirë në ndërtimin e autostradës Prishtinë – Gjilan.

Hulumtimi zbuloi se kompania “Pro-Eng”, pronë e familjes së zëvendësministrit Rexhep Kadriu furnizimin me beton për autostradën Prishtinë-Gjilan e bën përmes disa kompanive të nënkontraktuara.

“Për ne është nder dhe njohje e meritës për punën që kemi bërë në KALLXO.com dhe “Drejtësia në Kosovë.” Afërdita është një nga gazetarët më të reja në ekipin tim dhe më gëzon fakti që gazetarja jonë ka fituar një çmim aq të madh në një moshë të re” tha bashkautori Kreshnik  Gashi.

Shpërblimi i BE-së për Gazetari Hulumtuese ka pasur fokus hulumtimet që kanë temë korrupsionin, shkeljen e të drejtave të njeriut, krimin e organizuar, shpenzimin e parasë publike etj.