Gazetarët duke mbuluar një protestë në Prishtinë - foto arkivi

Gazetarët duhet të edukohen për sigurinë e tyre 

Gazetarët duhet të trajnohen e pajisen me mjete mbrojtëse personale.

BIRN publikoi një analizë e cila konstaton që gazetarët nuk kanë mundësi të pajisen me mjete mbrojtëse të sigurisë personale si maska kundër gazit, helmeta balistike apo edhe jelekë anti-plumb.

Analiza konstatoj nevojën e ndryshimeve ligjore dhe nismat për të përkrahur këto ndryshime.

Të dhëna të tjera të grumbulluara pas këtij hulumtimi tregojnë që përpos ndryshimeve ligjore punë duhet të realizohet edhe në edukimin e gazetarëve.

Momentalisht në programet e gazetarisë çështja e sigurisë trajtohet pak.

Alban Zeneli, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, “Hasan Prishtina” konfirmon se nuk kanë lëndë të veçant për sigurinë e gazetarëve.

“Më herët kam ligjëruar lëndë të cilat janë lidhur me temën e sigurisë së gazetarëve dhe aty pjesë të lëndëve siç janë radiogazetaria, gazetaria e televizionit janë trajtuar çështjet e sigurisë së gazetarëve edhe sigurisë juridike edhe asaj fizike. Aktualisht nuk ka lëndë që e trajton pikërisht këtë temë por janë disa lëndë me të cilat trajtohen disa sfera të kësaj problematike si siguria në punë, ajo juridike apo edhe në raport se si sillen në teren”- thotë zeneli

Sipas tij, kjo bëhet për ngritjen e vetëdijes tek gazetaret e rinj.

“Ne çfarë bëjmë është më shumë ngritje të vëmendjes së gazetarëve të ri dhe i përgatisim për situata potenciale në të cilat mundet me pas dhunë”- theksoi ai.

Kosova është në mesin e vendeve të sigurta dhe vlerësohet lartë në indekset e lirisë së mediave dhe shprehjes. Megjithatë disa zona të vendit kanë probleme të sigurisë.
Hulumtimi i publikuar nga BIRN tregoj rreziqet dhe zonat ku pati tensione dhe sulme ndaj gazetarëve.

Ky publikim është bërë i mundur me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Bashkimit Evropian.