Gati dy muaj pas thirrjes për ndihmë, Qeveria ende nuk i ndihmon Down Syndrom Kosovës

Ka gati dy muaj prej kur ‘Down Syndrom Kosova’ ka kërkuar ndihmë financiare nga Qeveria në mënyrë që mos të ndalë shërbimet për personat me sindromin Down.

Drejtoresha Ekzekutive e DSK-së,  Sebahate Hajdini-Beqiri tha për KALLXO.com se ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga Qeveria që nga dërgimi i kërkesës.

Hajdini-Beqiri tha se shërbimet ende nuk i kanë ndaluar por rrezikojnë në çdo moment t’i ndërpresin shërbimet si pasojë e mungesës së fondeve.

Ajo tha se kanë arritur ta sigurojnë vetëm një fond me vlerë 10 mijë euro përmes platformës online, por fond i destinuar vetëm për qendrën e DS-së në Mitrovicë.

“Deri më tani kemi arritur të sigurojmë vetëm një fond në vlerë 10 mijë euro përmes platformës online dhe ky fond destinohet vetëm për qendrën tonë në Mitrovicë që garanton shërbime vetëm për 6 muaj, ndërsa qendrat tjera vazhdojnë të janë në  një situatë mjaftë të vështirë dhe rrezikohemi që në çdo moment t’i ndërpresim shërbimet”, tha ajo.

Qendra Down Syndrome Kosova ka 13 vite që ofron shërbime psiko-sociale për personat me sindromin Down dhe për momentin 300 persona me sindromin Down, prej të cilëve 120 fëmijë të moshës 0-12 vjeç mund të mbesin pa shërbimet e duhura.

Me datën 14 korrik kjo qendër i kishte dërguar kërkesë zyrtare kryeministrit Avdullah Hoti, ministres së Financave Hykmete Bajrami dhe ministrit për Mirëqenie Sociale Skender Reçica, përmes së cilës kanë kërkuar që këto institucione të shqyrtojnë mundësitë e ndarjes së buxhetit për mbështetjen e shërbimeve psiko-sociale për personat me sindromën Down.