
Telekomi i Kosovës, Foto: KALLXO.com
Gati dy javë para Postës, Telekomi kishte vendosur t’u ndajë nga 100 euro disa punëtorëve të tij
Bordi i drejtorëve të Telekomit të Kosovës ka marrë vendim më 10.01.2025 që t’ua ndajë nga 100 euro disa punëtorëve të Telekomit.
Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësi i Telekomit të Kosovës, Fadil Lepaja.
Ndarja e 100 eurove për punëtorët e Telekomit bëhet e ditur pas raportimit të KALLXO.com se Posta e Kosovës ka vendosur që punëtorëve që kanë marrëdhënie të rregullt dhe aktive në këtë ndërmarrje publike t’u japë një bonus prej 100 euro.
Nga Telekomi, 100 eurot për punëtorët e quajnë “shumë simbolike”.
Kjo shumë është vendosur të ndahet shumë më herët se ajo për punëtorët e Postës, e një muaj para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.
“Bordi i drejtorëve të TK, me datën 10.01.2025 ka marrë vendim për ndarjen e shumës simbolike prej 100 euro neto, për punonjësit e TK, duke i përjashtuar nga ky vendim zyrtarët e lartë të korporatës, anëtarët e bordit të Drejtorëve të TK dhe personat që kanë marrë pushim pa pagesë më tepër se 3 muaj gjatë vitit” – ka thënë Lepaja për KALLXO.com.
Lepaja e ka arsyetuar marrjen e vendimit nga bordi i drejtorëve duke u bazuar në një kërkese të Sindikatave të Pavarura të Telekomit. Ai ka treguar se 100 eurot janë ekzekutuar katër ditë pas marrjes së vendimit nga bordi.
“Ky vendim është marrë në bazë të kërkesës së Sindikatave të Pavarura të TK, me të cilën është dakorduar edhe Menaxhmenti Ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, duke e arsyetuar këtë me performansën pozitive financiare të kompanisë” – ka shtuar Lepaja.
Bordi i drejtorëve të Telekomit të Kosovës ishte emëruar në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të datës 24.07.2024.
Kryesues i bordit të drejtorëve të Telekomit është Petrit Nahi, kurse anëtarët janë Rrezarta Pllana, Sajmie Thaçi dhe Lindita Toçi.
Në anën tjetër, KALLXO.com raportoi gjatë ditës, më 07.02.2025, se bonusi sipas vendimit i cili është marrë në mbledhjen e datës 23.01.2025 u ka dalë punëtorëve me pagat e muajit janar, në prag të zgjedhjeve parlamentare, të cilat do të mbahen më 09.02.2025.
KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga Posta e Kosovës në lidhje me dhënien e këtij bonusi dy javë para zgjedhjeve parlamentare.
Më 01.02.2025, KALLXO.com ka kërkuar përgjigje nga kryeshefja e Postës së Kosovës, Nora Rraci, nga drejtori i Burimeve Njerëzore, Petrit Karakashi dhe zëdhënësi Arsim Mehmeti.
Më 04.02.2025, KALLXO.com ka kërkuar përsëri përgjigje nga zëdhënësi i Postës së Kosovës në lidhje me pyetjet e dërguara, por asnjëri nuk ka kthyer përgjigje.
Por, KALLXO.com ka arritur që ta sigurojë vendimin e marrë nga bordi.
Në dokumentin të cilin ka arritur që ta sigurojë KALLXO.com nga burime brenda Postës së Kosovës thuhet se vendimi u mor pas rekomandimit të kryeshefes ekzekutive, Nora Rraci.
“Pas shqyrtimit të zhvillimeve pozitive në Ndërmarrje, progresit të arritur deri më tani dhe proceseve që pritet të realizohen në të ardhmen, si dhe duke marrë parasysh faktorët e tjerë të rëndësishëm si inflacioni dhe rritja e kostove të jetesës, Kryeshefja Ekzekutive e Ndërmarrjes propozoi dhënien e një bonusi për të gjithë punëtorët e Ndërmarrjes.” – thuhet në vendimin që ka siguruar KALLXO.com.
Gjithashtu në po të njëjtin dokument përmendet edhe fakti se ky bonus ka për qëllim edhe motivimin, edhe angazhimin e punëtorëve të Postës së Kosovës.
Bordi i Postës së Kosovës përbëhet nga Gëzim Paci – kryesues, Safije Beseni, Sebahate Krasniqi, Visar Nura dhe Hyrmete Mydydi – anëtarë. Bordi është emëruar në janar të vitit 2022.
Gëzim Paci është emëruar kryesues i bordit të Postës së Kosovës në mbledhjen e Qeverisë Kurti të mbajtur më 23.09.2024.
Kurse, Nora Rraci është emëruar kryeshefe e Postës së Kosovës me vendim të bordit të drejtorëve të Postës më 30.11.2022.