Ish-drejtori i Inspektoratit të Arsimit, Dëfrim Gashi

Gati 16 vjet në krye të Inspektoratit të Arsimit, Dëfrim Gashi përfundoi në MAPL

“Në shtator të vitit 2023, në kohën kur unë zyrtarisht isha në Luksemburg, kam marrë përmes mediave dhe telefonatave private informatën se ministrja (Arbërie Nagavci) më ka shkarku nga pozicioni që kam pasë”- kështu pretendon se u informua ish-drejtori i Inspektoratit të Arsimit, Dëfrim Gashi, për vendimin e Ministrisë së Arsimit, me të cilin u lirua nga pozita më 20.09.2023.


Dëfrim Gashi punoi gati 16 vjet në krye të Inspektoratit të Arsimit, ndërsa nga muaji shkurt 2024 është sistemuar në Ministri të Administrimit të Pushtetit Lokal, pasi u lirua nga detyra në Ministri të Arsimit.

Ish-drejtori Gashi udhëhoqi Inspektoratin e Arsimit nga viti 2007, ndërsa nga viti 2013 ai ka gëzuar akt emërim me afat të pacaktuar në pozitën e drejtorit të Departamentit të inspektimit të Arsimit në Ministri të Arsimit dhe më 2016 akt emërimi i tij u rifreskua në pozitën drejtor i përgjithshëm i Inspektoratit të Arsimit. 

Për Ministrinë e Arsimit, akt emërimi i Gashit që datonte nga 03.10.2016 ishte i paligjshëm, duke u mbështetur në Ligjin 03/L-149 për Shërbimin Civil të Kosovës, se mandati për pozitën e drejtorit të Inspektoratit të Arsimit është 3 vjeçar, pra me kohë të caktuar.

Pothuajse dy javë pasi Ministria e Arsimit mori vendimin për lirimin e Gashit nga pozita e tij, ai u ankua në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK) ndaj këtij vendimi. Ankesa e tij në KPMShCK rezultoi pjesërisht e bazuar.

Në një intervistë për KALLXO.com, Gashi pretendon se janë disa ngjarje që kanë ndodhur ndër vite e që sipas tij kanë sjellë edhe shkarkimin e tij.

Kur u pyet nga KALLXO.com, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se nuk është se ka pasur ndonjë çështje hakmarrëse, por vendimi i shfuqizimit të akt emërimit të Gashit nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të Inspektoratit të Arsimit ka qenë për arsye krejtësisht ligjore.

Sistemimi i ish-drejtorit të Inspektoratit të Arsimit në Ministri të Administrimit të Pushtetit Lokal 

Në vendimin e Ministrisë së Arsimit të datës 20.09.2023, me të cilin u lirua Dëfrim Gashi nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të Inspektoratit të Arsimit thuhet se MAShTI i kishte kërkuar Departamentit për Menaxhimin e Zyrtarëve Publik (DMZP) të Ministrisë së Punëve të Brendshme opinion ligjor për akt emërimin e datës 03.10.2016 të Gashit, respektivisht për mandatin e tij në pozitën që kishte në këtë Ministri. 

DMZP i ka dhënë opinion ligjor MAShTI-t se akt emërimi i Gashit me afat të pacaktuar në pozitën drejtor i përgjithshëm i Inspektoratit të Arsimit nga viti 2016 është i kundërligjshëm.

“Më datën 01.08.2023, DMZP ka dhënë opinion ligjor me të cilin ka konstatuar se akt emërimi i datës 03.10.2016 i Dëfrim Gashit në pozitën e Inspektoratit të Arsimit në MAShTI është i kundërligjshëm. Gjithashtu, ka konstatuar se është përgjegjësi e MAShTI-t të ndërmerr veprime dhe masa të nevojshme për vendosjen e ligjshmërisë për rastin e pozitës së drejtorit të Inspektoratit të Arsimit” – thuhet në vendimin e Ministrisë së Arsimit, të datës 20.09.2023.

“Akt emërimi i datës 03.10.2023 … është i paligjshëm sepse është në kundërshtim me nenin 15 paragrafi 3 të Ligjit nr.03/L-149 për Shërbimin Civil të Kosovës, i cili përcakton se mandati për pozitat e larta drejtuese është 3 vjeçar. Gjithashtu, është në kundërshtim me nenin 42 paragrafi 4 i Ligjit 06/L-114 për Zyrtarët Publik, pasi që kohëzgjatja dhe mandati i pozitave të larta drejtuese është me kohë të caktuar” – thuhet në mes tjerash në vendimin e MAShTI-t.

“Meqë Dëfrim Gashi në pozitën: Drejtor i përgjithshëm i inspektoratit të arsimit ka qëndruar nga viti 2016 në këtë pozitë dhe meqë është konsumuar mandati i përcaktuar me legjislacionin në fuqi, shfuqizohet akt emërimi i datës 03.10.2016 dhe z.Gashi lirohet nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të inspektoratit të arsimit” – shkruan në vendimin e MAShTI-t të datës 20.09.2023.

I pakënaqur me vendimin e Ministrisë së Arsimit, Gashi u ankua më 02.10.2023 ndaj këtij vendimi në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK).

Më 01.12.2023, KPMShCK i ka aprovuar pjesërisht si të bazuar ankesën Gashit, pasi ka anuluar vendimin e datës 20.09.2023 të Ministrisë së Arsimit, por mbajtjen e pozitës drejtor i përgjithshëm i Inspektoratit të Arsimit pa afat, KPMShCK ka vlerësuar se është veprim në kundërshtim me ligjin.

Në arsyetimin e vendimit të tyre, KPMShCK ka konstatuar se pozita drejtor i përgjithshëm i Inspektoratit të Arsimit është pozitë e kategorisë së lartë drejtuese dhe duke u mbështetur në Ligjin 06/L-114 për Zyrtarët Publik për pozitat e kësaj kategorie mandati është katër vjet.

Kurse, vendimin e Ministrisë së Arsimit për lirmin e Gashit nga detyra, të cilin e ka kontestuar në ankesën e tij Gashi, KPMShCK ka konstatuar se njësi përgjegjëse për emërimin dhe lirmin e nëpunësit civil të nivelit të lartë drejtues për institucionet e administratës shtetërore është Qeveria, përkatësisht ministria përkatëse për administratë publike.

“Mbi këtë bazë të konstatimit rezulton se vendimi i kontestuar në ankesë është nxjerrë nga organi jo kompetent dhe si i tillë është i paligjshëm në kuptim të dispozitave të nenit 52, paragrafi 1 nën paragrafi 1.2 të Ligjit 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, andaj mbi këtë bazë të konstatimit rezulton se pretendimi ankimor mbi këtë fakt është i bazuar” – thuhet në vendimin e KPMShCK të datës 01.12.2023.

Si rrjedhojë, KPMPShCK e ka anuluar vendimin e Ministrisë së Arsimit të datës 20.09.2023 dhe e ka obliguar Ministrinë e Punëve të Brendshme që në afat prej 15 ditësh ta sistemojë Gashin.

Për anulimin e vendimit të datës 20.09.2023, me të cilin e liroi Gashin nga pozita e drejtorit të Inspektoratit të Arsimit, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci konsideron se KPMShCK nuk ka konstatuar që vendimi është i jashtëligjshëm.

“Këshilli i Pavarur i Shërbyesve Civilë që të jemi të qartë nuk e ka konstatu që vendimi është i paduhur ose i padrejtë, ose i jashtëligjshëm, por thjesht me sa e mbaj mend unë tani, se pse unë e kam marrë vendimin e jo dikush tjetër” – është përgjigjur Nagavci, më 13.08.2024.

Sipas ministres Nagavci, stafi i MAShTI-t ka konstatuar se duhet një instancë më e lartë për shfuqizimin e akt emërimit të Gashit të vitit 2016, prandaj duhej që ajo ta marrë vendimin e datës 20.09.2023.

Më 13.02.2024 Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publik (DMZP) e ka sistemuar Gashin në pozitën drejtor i Departamentit për Integrime Evropiane dhe Koordinim të Politikave Evropiane në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe ka vlerësuar se përgatitja profesionale e tij i plotëson kriteret për këtë pozitë.

“Vendimi për caktimin e z.Gashi në këtë pozitë është marrë duke pasur parasysh listën e pozitave të lira të pranuara nga Institucionet e Administratës Shtetërore. Fillimisht, DMZP ka tentuar të sistemoj z.Gashi brenda institucionit ku ka qenë i punësuar, përkatësisht në Inspektoratin e Arsimit. Megjithatë, në strukturën organizative të Inspektoratit të Arsimit nuk ka fare departamente, e rrjedhimisht as pozita të nivelit të lirë drejtues” – thuhet në vendimin e DMZP, të datës 13.02.2024.

KALLXO.com e ka pyetur DMZP-në për këtë rast nga data 30.07.2024, por nuk ka pranuar përgjigje.

Gashi thotë se ka qenë i detyruar ta pranojë punën në MAPL për shkak të mbijetesës, ndërsa konsideron se është degraduar në nivel, gradë dhe pagë. 

Sipas kontratës së Gashit në pozitën e drejtorit të departamentit të inspektimit në Ministri të Arsimit në kuadër të Insitucioneve të përkohshme vetëqeverisëse në vitin 2007 deri më 2010 ai kishte koeficientin e pagës 10 apo 326 euro pagë në muaj.

Në kontratën e punës për periudhën 2010 – 2013 me të njëjtën pozitë dhe koeficient sikur se nga kontrata e punës e periudhës 2007 – 2010, Gashi kishte pagën 358.60 euro.

Ai ka pasur koeficientin e pagës 10 edhe me rastin e akt emërimit të datës 01.10.2013 në pozitën e njëjtë si më parë, por me afat të pakufizuar.

Ndërsa, prej vitit 2016, me kërkesë të tij, fitoi koeficientin e pagës 16, sipas një dokumenti të Departamentit të Administrimit të Shërbimit Civil, në kuadër të Ministrisë së Administratës Publike, më 06.02.2015 në të cilin thuhet se i është aprovuar ngritja e koeficientit të pagës për titullin e punës – drejtor i përgjithshëm i Inspektoratit të Arsimit në Ministri të Arsimit me koeficientin 16.

Prej janarit 2023, Gashi tha se ka pasur koeficientin 12 dhe tani me sistemimin e tij në MAPL e ka 8.4.

“Për inate personale”

Vendimin e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci me të cilin e liroi nga pozita e drejtorit të Inspektoratit të Arsimit më 20.09.2023, Dëfrim Gashi e ka vlerësuar “të kundërligjshëm”, “tendencioz” e “për inate personale”.

Ai e arsyetoi vlerësimin e tij ndaj vendimit të ministres Nagavci duke përmendur dy ngjarje që kanë ndodhur në të kaluarën, sipas tij.

Në vitin 2022, në kohën kur Gashi ishte në krye të Inspektoratit të Arsimit, ai thotë se ministrja Nagavci i kishte shqiptuar atij një vërejtje pa pasur bazë ligjore.

“Në vitin 2022 ministrja më ka tërhjek vërejtjen pa pasur bazë ligjore. Për faktin se unë nuk kam marrë masa ndaj drejtorëve të shkollave, të cilët kanë qenë të involvuar në procesin e testit të maturës, ajo nuk ka qenë në kompetencën time. Divizioni për standarde, vlerësim dhe monitorim të procesit ka qenë përgjegjësi kryesor, ne si Ministri e Arsimit nuk e kemi të drejtën të ndëshkojmë as mësimdhënësit e as drejtorët e shkollave, po këtë gjë e bën me propozimin e Divizionit” – ka thënë Gashi.

Ish-drejtori Gashi ka treguar se e kishte apeluar vërejtjen që e mori nga ministrja Nagavci të vitit 2022 në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës (KPMShCK), të cilët sipas tij, kishin konstatuar se nuk është Inspektorati i Arsimit kompetent që të marrë masa ndaj drejtorëve të shkollave për rastin në fjalë.

Tutje, Gashi thotë se KPMShCK e kishte detyruar ministren Nagavci ta tërhjek vërejtjen brenda afatit 15 ditor dhe sipas tij, Nagavci e kishte tërhjekur vërejtjen që i kishte dhënë Gashit.

Ai ka përmendur edhe ngjarjen e dytë e cila pretendon se kishte ndodhur në kohën kur ministrja Nagavci kishte qenë drejtoreshë e Arsimit në Prishtinë e që sipas Gashit ajo nuk kishte bashkëpunuar me inspektorët e Arsimit në një rast. 

Nagavci ka qenë drejtoreshë e Arsimit në Prishtinë nga viti 2014 deri më 2017.

Për këto dy ngjarje, Gashi mendon se Nagavci u hakmor ndaj tij duke e liruar nga pozita e drejtorit të Inspektoratit të Arsimit.

“Unë mendoj se ajo tash hakmerret meqë vërejtja e saj u anulu, meqë Inspektorati (i Arsimit) pat ngritë kallëzim penal për të dhe këto janë dy argumentet që ajo ka tendencë ndaj meje dhe nuk e dëshiron Dëfrim Gashin të mbetet në pozicionin e drejtorit të Përgjithshëm” – është shprehur Gashi.

Se a kishte pasur vërejtje për punën e Dëfrim Gashit gjatë kohës sa punoi në krye të Inspektoratit të Arsimit, Nagavci ka thënë për KALLXO.com se i ka folur ato personalisht me Gashin. Ajo tha se nuk ka pasur ndonjë çështje hakmarrëse.

“Për vërejtjet që kam pasë për punën ose mospunën e Dëfrim Gashit në kohën sa ka qenë inspektor ose kryeinspektor i Arsimit unë i kam bisedu me të në kuadër të mandatit tim… Nuk është se ka pas ndonjë çështje që është hakmarrëse, sepse këto janë procese të ndara. Ju mund të më pyetni a kam vërejtje për të gjithë zyrtarët me të cilët punoj këtu, po vendimi, i cili është marrë për shfuqizimin e vendimit ka qenë për arsye krejtësisht ligjore” – ka thënë Nagavci, më 13.08.2024.

Më tej, Gashi pretendon se ka pasur 7 vende të lira në Ministri të Arsimit për t’u sistemuar aty, tri prej tyre thotë se janë të nivelit të lartë drejtues, të barasvlefshme me koeficientin që ka pasur.

I njëjti pozicion që sot ka në Ministri të Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Gashi pretendon se kishte qenë i lirë edhe në atë kohë në Ministri të Arsimit.

“I njëjti pozicion është edhe në kuadër të Ministrisë së Arsimit dhe aty mua nuk më ka leju ministrja Nagavci ta ushtrojë këtë pozicion, ndërsa unë bëjë të jem drejtor në Pushtet Lokal dhe nuk mund të jem drejtor aty ku 30 vjet ia kam lanë përvojës në fushën arsimore që shumë ma i afërm koordinimi i politikave në fushën arsimore kishte me qenë në Ministri të Arsimit se sa në Ministri të Administratës Publike” – ka treguar Gashi.

Në anën tjetër edhe ministrja Nagavci e ka konfirmuar se ka pasur vende të lira në MAShTI në kohën kur u bë sistemimi i Gashit në MAPL.

Sipas Nagavcit, prej se e ka marrë mandatin si ministre e Arsimit janë më shumë se 50 pozita të lira në këtë Ministri.

“Tash që po flasim, kemi dikun rreth 20 pozita të hapura në Ministri të Arsimit…” – ka thënë ajo, më 13.08.2024.

Mirëpo pse nuk u sistemua ish-drejtori i Inspektoratit të Arsimit në Ministri të Arsimit, por në MAPL, Nagavci tha se e kanë sistemuar aty ku e kanë vlerësuar që duhet të sistemohet.

Gashi ka shprehur pakënaqësinë e tij në lidhje me trajtimin e rastit të tij nga KPMShCK, pasi thotë se është degraduar në pagë me marrjen e pozitës në MAPL.

“Mbi 400 euro është dëmtimi që mua më bëhet për çdo muaj” – ka thënë ai.

Përveç kësaj, Gashi pretendon se u takua me ministren Nagavci para se të merrej vendimi i Departamentit të Menaxhimit të Zyrtarëve Publik për sistemimin e tij në MAPL.

Sipas tij, në takimin me ministren Nagavci, ajo i kishte ofruar katër pozicione në Ministri të Arsimit të përzgjedhë njërën nga to për ta drejtuar.

“Në atë takim, ministrja m’i ofroi katër pozicione të përzgjedh njërën prej tyre. Ishte pozicioni i lirë që edhe sot e kësaj dite është drejtor i Arsimit të Lartë, drejtor i Departamentit për Arsim Parauniversitar, për Integrime Evropiane që është e njëjta me pozitën ku kam shku dhe drejtor i buxhetit” – ka shtuar Gashi.

Gashi thotë se i kishte kërkuar ministres Nagavci shpjegim se pse i kishte ofruar katër pozita të nivelit degradues për nga aspekti i pagës në Ministri të Arsimit, e si kishte ofruar një nga tri pozitat tjera të barasvlefshme me koeficientin që kishte pasur dhe që sipas tij kishin qenë të lira. Sipas tij, Nagavci i kishte thënë se ka pengesë me ligjin.

“Në përfundim u ndamë që unë ta njoftoj me aktet ligjore që kam mbështetje dhe më pastaj, ndërkohë të vendos DMZP, kështu jemi kanë në pritje dhe befas jam tronditur me vendimin e DMZP…Ministrja nuk i ka mbajt fjalët, ajo jo vetëm që nuk më ka dhënë pozicionin sipas gradës që kisha, por ajo nuk i mbajti premtimet e dhëna as në nivelin e departamentit” – ka theksuar Gashi.

Si përfundim, Gashi i ka paditur anëtarët e KPMShCK-së në Gjykatë për aprovimin e pjesërishëm të ankesës, moskthim në vendin e punës dhe dëmtim në gradë, nivel dhe pagë.

Përveç lirimit të Dëfrim Gashit nga pozita e drejtorit të Inspektoratit të Arsimit, më 20.09.2023 u shkarkua edhe Fatmir Sfishta nga pozita e drejtorit të Qendrës së Studentëve dhe Nezir Çoçaj nga pozita e drejtorit të Institutit Pedagogjik të Kosovës.

Në emisionin “Kallxo Përnime” të datës 22.09.2023, ministrja Nagavci kishte treguar se përse i kishte shkarkuar të tre këta zyrtarë.

“Të tre këta zyrtarë të lartë që janë në këto pozita të rëndësishme është gjetur që janë emëruar në këto pozita me akt-emërime të paligjshme në kohën kur janë emëruar në këto pozita. Janë tri vendime të ndryshme, të tria të nënshkruara nga i njëjti ish-sekretar i Ministrisë së Arsimit, të tri në kundërshtim me legjislacionin edhe në atë kohë pra jo tani”- ka thënë Nagavci në emisionin “Kallxo Përnime” të datës 22.09.2023.

“Janë caktuar zyrtarë në pozita të larta me akt-emërim me pozitë të përhershme. Që të tri këto pozita janë pranuar në konkurs në pozitë më të ulët dhe pastaj me akt-emërim janë vendosur në pozita të larta dhe njëkohësisht u janë vendosur si pozita të përhershme, pra pozitë që vazhdon deri në pensionim”- ka shtuar ajo.

Sipas Nagavcit, prej koeficientit 10 të tre këta persona kanë kaluar në koeficientin 16.