Ilustrim, Foto: Kallxo.com, Gastronomia

Gastronomët: Shtrëngimi i masave pas zgjedhjeve mund të çojë në përshkallëzim të veprimeve

Në rast të shtrëngimit të masave pas zgjedhjeve të 14 shkurtit,  Shoqata e Gastronomëve thonë se do të rriten pakënaqësitë edhe më shumë.

Ata e kanë quajtur qasje amorale dhe standard të dyfishtë të akterëve politikë, lirim e masave para fushatës zgjedhore dhe shkeljen masive të masave anti-COVID në tubimet politike.

Arian Vranica përfaqësues nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se shtrëngimi i masave pas zgjedhjeve mundë të qojë në veprime më radikale nga ana e tyre.

“Vështruar këto padrejtësi, qasje amorale dhe shqetësuese të këtyre akterëve, standarde të dyfishta, dhe shkelje të Kushtetutës së vendit, do te ketë përshkallëzim të veprimeve me thirrje nga përfaqësuesit e bizneseve të shumta të gastronomisë, por edhe të industrive të tjera, për qellim të trajtimit të barabartë dhe mbrojtjes së interesave të tyre, punëtoreve, dhe vendit.”, thotë Vranica.

Sipas tij, për mbrojtjen e shëndetit publik Shoqata e Gastronomëve ka bërë kompromis që bizneset e kësaj industrie te dëmtohen ne tkurrje te likuiditetit dhe të tregut të punës duke funksionuar pjesërisht.

Tutje thotë se dëmi ekonomik e ka humbur kuptimin e tij duke parë papërgjeshmërinë e të gjithë akterëve politik

“Rrjedhimisht, duke vështruar lëvizjet e fundit të akterëve politik, pa përjashtim, dhe te reflektimit te papërgjegjshmërise së tyre ne mosrespektim të masave dhe vendimeve parandaluese të përhapjes së këtij virusi, dhe sidomos të të njejtëve të cilët edhe janë dhe ishin në pushtet duke kontrolluar shpërndarjen e tij, dëmi i shkaktuar deri më tani ka humbur kuptimin e tij.”, shtoi ai.

Ndryshe, priten të bëhen publike nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës të dhënat për 24 orët e fundit lidhur me rastet infektimit, ndërsa në ditën djeshme IKSHPK ka njoftuar se brenda 24 orëve janë raportuar 3 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv.

Gjithashtu, nga testimi i 2,291 mostrave kanë rezultuar 249 raste pozitive ndërsa janë shëruar 274 pacientë.

Deri më tani në Kosovë, numri i të infektuarve në Kosovë është 62.548,  ndërkaq numri i të shëruarve është 54.231. Të  vdekur deri më tani janë 1,524.

Në anën tjetër, KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me infektimet me virusin COVID-19 dhe tubimet në fushatë zgjedhore ku po shpërfillen masat parandaluese të përhapjes së virusit.

Për më shumë kliko këtu