Foto: KALLXO.com, Gastronomia. Ilustrim

Gastronomët paralajmërojnë protestë nëse nuk u plotësohen kërkesat brenda një jave

Gastronomët e Kosovës kanë paralajmëruar protestë në rast se Qeveria e Kosovës, nuk ua plotëson kërkesat e tyre brenda shtatë ditësh.

Përfaqësues të Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, po kërkojnë që ekzekutivi t’i plotësojë kërkesat e tyre për lehtësim të gjendjes, për shkak të masave të reja dhe kufizim të punës së këtyre bizneseve.

Veton Zuka, kryetar i gastronomëve të Prishtinës, ka treguar për KALLXO.com se cilat janë kërkesat e tyre.

“Ne kërkesat i kemi bërë që moti, i kemi dërguar edhe në Kryeministri dhe Ministri të Financave. Kërkesat janë financimi për pagat e punëtorëve, financimi për qiratë ose eventualisht 40-50 për qind të obligimeve me qiratë dhe ndihmesa në konceptin dhe sistemin bankar, në mënyrë që me iu lehtësu edhe me dalë prej listës së kuqe gastronomët sepse nuk kanë shansa me marrë as kredi. Këto trijat janë për këtë periiudhë”, ka thënë ai.

Zuka ka folur për organizimin e protestës nëse nuk u përmbushën kërkesat nga ana e qeverisë.

“Ne i kemi dhënë qeverisë një afat prej shtatë ditës, prej të premtes për me u plotësu kërkesat, nëse nuk bëhen atëherë ne shkojmë në një protestë, të premten eventualisht të shtunën.  Protesta do të jetë prej përfaqësuesve të gastronomisë prej krejt Kosovës. Po presim të refletojë edhe qeveria dhe në këtë rast edhe Parlamneti të votojë për Pakon për rimëkëmbjen”, theksoi ai.

Përfaqësuesi i gastronomëve potencoi se protesta do të jetë paqësore.

“Nuk do të jetë demoluese ose dicka që mund t’i bëjë dëm shtetit ose vendit. Do të jetë në proporcion me rrregullat anti-Covid.  Deri tash, kemi hasë në vesh të shurdhër. Përgjegjësia bie mbi ta kështu që ne po presim”, tha ai për KALLXO.com.

Qeveria e Kosovës i ka miratuar masat e reja kundër përphapjes së COVID-19, të cilat janë prezantuar të mërkurën nga kryeministri  Avdullah Hoti.

Me këto masa, varësisht se në cilat zona të rrezikshmërisë gjendjen komunat e vendit, është e përcaktuar edhe karantina dhe puna e lejuar e gastronomisë.