Foto: KALLXO.com, Gastronomia. Ilustrim

Gastronomët: Masat reja në kundërshtim me kërkesat tona, të dizajnuara për qëllime politike

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka reaguar lidhur me vendimin e fundit te qeverisë për zbutje të masave anti-COVID.

Ata  përmes një njoftimi kanë thënë se këto masa janë në kundërshtim me kërkesat e tyre dhe të dizajnuara për qëllime politike.

“Këto masa më shumë janë të dizajnuara për qëllime politike, sesa për shëndetin publik, e aq më pak për atë ekonomik. Tashmë është ideuar edhe realizimi i fushatave parazgjedhore nga ky vendim, nga i cili, lejohen deri në 30 persona në hapësira të mbyllura, të cilat ironikisht janë sallat e dasmave (që ndalohen të funksionojnë për qëllime afariste), ndërsa deri në 50 persona në sheshe publike, parqe, etj,” thuhet në reagimin e shoqatës.

Tutje, sipas tyre orari deri në orën 21:00 dhe 22:00, i ndarë në bazë të zonave është i pamjaftueshëm për gjendjen në të cilën ndodhen.

Gastronomët kanë theksuar se shteti po aplikon standarde të dyfishta sa i përket kufizimit të cilin e shkelën duke organizuar tubime politike.

“Zhvillimet e fundit në vend, shpërfaqin aplikimin e standardeve të dyfishta nga ana e shtetit, të cilët deri dje na thanë se duhet të qëndrojmë në shtëpi pas orës 20:00, që të mbrohemi nga pandemia, dhe pas kësaj ore, na ftuan nëpër tubimet dhe organizimet parazgjedhore për qëllime elektorale, duke mos i zbatuar rregullat e vendosura nga vetë ata! Këto veprime janë në kundërshtim me nenin 3 të Kushtetutës së Kosovës, përkatësisht [Barazia para Ligjit].
Para ligjit dhe kushtetutës jemi të gjithë të barabartë. Mirëpo tek ne, ka përjashtime!,” thuhet tutje në reagim.

Qeveria miraton masat e reja, zgjatet orari i lëvizjes dhe puna e gastronomisë