Foto: KALLXO.com, Gastronomia. Ilustrim

Gastronomët kërkojnë lirim të masave

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës kanë kërkuar lehtësim të masave nga Qeveria, pasi sipas tyre gjendja epidemiologjike është stabile.

“Masat duhet të lehtësohen, gjendja epidemiologjike është stabile, procesi i vaksinimit po shkon shumë mirë, gjithsesi duke vazhduar me kontroll ndaj klientëve tanë. Rrjedhimisht, orari i funksionimit të bizneseve duhet të bëhet në pajtim me rregulloret komunale për orarin e punës së bizneseve, shfrytëzimi i kapaciteteve të brendshme duhet të rritet, ora policore duhet të hiqet!”, thuhet në një postim në Facebook.

Ata kanë theksuar se që një muaj kanë kërkuar lehtësim të masave nga Ministria e Shëndetësisë.

Postimi i plotë i tyre:

PRAP KURBAN GASTRONOMIA!

Të premten që shkoj kaluan dy javë që kur masat e fundit kanë hyrë në fuqi!

Ka kaluar më shumë se një muaj që kërkesat tona po bijnë në vesh të shurdhër nga Ministria e Shëndetësisë.

Fatkeqësisht masat e fundit përsëri po vlejnë vetëm për kufizimin e veprimtarive të bizneseve, ndërsa partitë politike përsëri po e bëjnë të njejtën gjë, duke organizuar fushata që janë në kundërshtim me këto masa.

Mos të harrojmë që ishte tetori i vitit të kaluar, koha kur u mbajtën zgjedhjet qendrore, që eskaloj gjendja epidemiologjike dhe u dha shembulli më i keq tek qytetarët për të anashkaluar respektimin e masave dhe ishte tetori ajo që krijoj dëshpërimin më të madh tek bizneset, që dhanë një kompromis të pashoq duke larguar me padëshirë punëtorë nga puna, apo duke i ulur pagat e tyre.

Tashmë këto masa përsëri nuk mjaftojnë për të realizuar një qarkullim të arsyeshëm tek bizneset e sektorit tonë, për të përmbushur obligimet e tyre të zakonshme.

Këto masa përpos që nuk mjaftojnë për ne, të njëjtat nuk po kanë më as kuptim e as efekt në uljen e mëtutjeshme të rasteve.

I kemi ofruar Ministrisë së Shëndetësisë argumente të mjaftueshme që nuk kanë kuptim të mbahen kufizimet në fuqi përderisa jemi duke operuar me kujdes sa i përket klientëve që po i frekuentojnë lokalet tona.

Masat duhet të lehtësohen, gjendja epidemiologjike është stabile, procesi i vaksinimit po shkon shumë mirë, gjithsesi duke vazhduar me kontroll ndaj klientëve tanë. Rrjedhimisht, orari i funksionimit të bizneseve duhet të bëhet në pajtim me rregulloret komunale për orarin e punës së bizneseve, shfrytëzimi i kapaciteteve të brendshme duhet të rritet, ora policore duhet të hiqet!

Ejani të ulemi bashkë dhe të gjejmë zgjidhjen e duhur, me kujdes për shëndetin publik dhe atë ekonomik!

Me drejtësi të barabartë, e jo selektive!

Sinqerisht,

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës!