Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gashi tregon skemën se si u shmangen tatimeve mobil shop-et

Kryeredaktori i KALLXO.com, Kreshnik Gashi, ka shpalosur për herë të parë në publik mënyrën se si mobil shop-et po arrijnë t’u shmangen detyrimeve tatimore.

Ai tha se ikjen nga tatimet këto biznese e bëjnë duke shitur telefona të kontrabanduar. Sipas tij, shumica e bizneseve që merren me shitblerjen e telefonave kanë depot e fshehura në të cilat i mbajnë telefonat që i kanë të kontrabanduar.

“Secili prej nesh kemi telefon mobil. Në Kosovë llogaritet që janë mbi 1 milion celularë, dhe llogaritet që 300-400 mijë prishen brenda vitit. Diku mbi 10 milionë euro taksa shmangen se këto biznese nuk i paguajnë tatimet”, tha Gashi.

Ai tregoi përvojën e tij në lidhje me aksionet që janë zhvilluar në këto biznese.

“Kur kemi dalë në bizneset e telefonave normalisht çdo mall është i regjistruar mirëpo kur shkojmë si qytetarë sa herë që të blejsh telefon nuk merret telefoni prej raftit por shkon një person mbrapa raftit ku e kanë depon që i mbajnë mallrat e kontrabandume e nxjerr telefonin ta bjen edhe t’i e blen”, tha Gashi.

Ai shtoi se në çdo rast kur qytetarët kërkojnë kuponin fiskal çmimi i telefonit shtrenjtohet.

 

Këtë muaj Rrjeti Ballkanik I Gazetarisë Hulumtuese – BIRN dhe organizata Demokraci Plus kanë publikuar raportin e monitorimit të Administratës Tatimore të Kosovës.

Raporti titullohet “Evazioni në Punësime” për shkak të problemeve të ATK-së me procedurat e Rekrutimit dhe parregullsive të cilat janë konstatuar në konkurset e fundit.

Gjetjet e këtij raporti tregojnë se ATK vazhdon të ketë probleme me disiplinimin e zyrtarëve të saj. Aty tregohet se në shumë raste vërejtjet të cilat jepen nga menaxherët shpeshherë nuk janë të arsyetuara siç duhet.

Tutje raporti tregon se masat disiplinore të shqiptuara shpeshherë nuk janë në përputhje me shkeljen e kryer pasi masat janë më të lehta sesa realisht do të duhej të ishin.

Pjesë e raportit janë edhe hulumtimet e publikuara gjatë vitit 2020 në të cilat ishin shfaqur dyshimet për mosdeklarim të pasurisë nga ana e dy zyrtarëve të lartë të ATK-së.

Të dhënat tregojnë se ATK vazhdon të ketë probleme me fiskalizimin e bizneseve pasi gati gjysma e bizneseve në Kosovë vazhdojnë të jenë të pa fiskalizuara.