Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gashi: Tërheqja e urdhër-arrestit ndaj Radoiçiqit i shkaktoi dëm të madh Kosovës

Autori i shumë emisioneve që vuri në pah krimin dhe kontrabandën në veri të Mitrovicës, Kreshnik Gashi, në emisionin e sotëm “Kallxo Pernime” theksoi se tërheqja e urdhër- arrestit ndaj të kërkuarit për organizimin dhe vrasjen e ish- politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviqit, Milan Radoiçiq është dëm i madh për grupin i cili po hetonte rastin si dhe për Kosovën si shtet.

“Ka ndodhur një dëm i madh për ekipin hetimor, edhe për Kosovën, për faktin se në Serbi është kriju narrativi që Radoiçiq ka qenë i  ndjekur politikisht, kjo është bukur e pakuptimtë qysh kemi ardhur deri në këtë situatë”, tha Gashi duke shtuar se ka pikëpyetje të shumta se si ka ardhur prokurori i rastit deri në këtë përfundim.

Ai madje komentoi edhe deklaratat e ish- prokurorit special, Sylë Hoxha, kur tha se kishte pasur kërkesa që Radoiçiq të mos arrestohej dhe të bashkëpunonte me Prokurorinë Speciale.

“Fakti që prokurori po përmend që ka pasur njerëz që i kanë shku në derë dhe kanë tentu me negociu dorëzimin, me bo marrëveshje pa qenë i arrestuar, është mjaft shqetësues. Fakti tjetër që përmendi prokurori që njerëz të politikës, miqtë tanë, njerëzit që munden me qenë në krye të shtetit kanë ditë për organizimin e grupit kriminal dhe nuk kanë ndërmarrë asgjë është shqetësues”, tha Gashi.

 

Ai shtoi se gjatë karrierës së tij si hulumtues i shumë rasteve të cilat kanë ndodhur në veri të Kosovës, nuk ka dëgjuar e parë për situata të tilla si kjo e fundit e tërheqjes së urdhër-arresteve për persona të kërkuar.

“Në karrierën time nuk më ka ra me pa situata të tilla ku nji person kërkohet dy vjet, me të gjithë aparatin shtetëror zhvillohen të gjitha ato operacione me u hetu dhe në fund të ditës prokurori me një kërkesë pa argumente të shumta kërkon me tërheq urdhër- arrestin”, tregon Gashi.

Madje Gashi tregon se ka analizuar vendimin e Gjykatës në lidhje me tërheqjen e urdhër-arrestit por sërish ka mangësi në vendim.

Tutje Gashi tha edhe se ende nuk është e qartë se për tërheqjen e urdhër- arrestit a ka pasur gisht edhe Policia e Kosovës.

“Fakti që është tentu me u thanë veprime taktike hetimore të prokurorisë, unë nuk di në procedurën penale cilat janë këto veprime taktike përveç faktit që prokurori është dashtë me pasë në tavolinë një marrëveshje për pranim të fajësisë ose një marrëveshje me pasë atë person si dëshmitar bashkëpunues. Asnjëra nga këto elemente nuk janë, nuk ka asnjë informacion për gjyqtarin që do të bëhen këto elemente”, shtoi Gashi.

I pyetur në lidhje me këto elemente se a kanë qenë pjesë të kërkesës, Gashi tha se një tërheqje e urdhër-arresteve nuk mund të bëhet pa pasur fillimisht një vendim se personi i kërkuar do të bashkëpunojë me prokurorinë.

“Po nuk mundesh me bo veprim taktik me hek fletarrestimin, nëse ke plan me pru personin në Kosovë dhe me arrestu por këtë nuk mundesh me hek fletarrestimin edhe me arrestu prapë sepse kodi penal s’e lejon. Gjyqtarit ish dashtë me ia shpjegu më shumë për tërheqjen e urdhër-arrestit për shembull jemi duke negociu marrëveshje me të, po duam me bo dëshmitar bashkëpunues. Në vendimin që e ka dhënë gjyqtari nuk përmenden këto elemente. Kërkesa prej prokurorisë ka shku në atë formë dhe gjyqtari në këto momente nuk mundet me ndërhy në punën e prokurorit sepse personi ende nuk është i akuzuar”, tha Gashi tutje.

Ai madje përmendi edhe se kjo situatë mund të përdoret edhe si pazar politik.

“Për mua janë shqetësuese fjalët që përmenden për ndikimin dhe mundësinë që kjo m’u shndërru në pazar politik në një negociatë politike dhe është shqetësuese që ka njerëz që shkojnë në prokurori me trokit në derë dhe me tentu që përmes prokurorëve me arrit qëllime politike. Ky njeri ka pasur bukur ndikim në serbët e Kosovës, vazhdon me qenë nënkryetar i Listës Serbe dhe me pasë ndikim të njerëzve të veriut. Kjo më bën me besu që ka nisë me pasë një lloj pazari me heqjen e fletarrestit ndaj tij”, shtoi në fund Gashi.

Ish- prokurori special që hetoi vrasjen e ish- politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, Sylë Hoxha në debatin e sotëm përmendi disa kërkesa që i kishin shkuar në zyrë për të mos arrestuar të kërkuarin Millan Radoiçiq.

Ai madje theksoi se kishte pranuar një letër në të cilën thuhej se “pasi Sylë Hoxha të dalë në pension, mua nuk do të më ndjekin më” ndërsa fjala ishte për Radoiçiqin.

Oliver Ivanoviq u vra më 18 janar të vitit 2018. Në aktakuzën e ngritur nga Sylë Hoxha, Millan Radoiçiq ishte konsideruar si kreu i grupit të organizuar kriminal dhe se kishte gisht në vrasjen e Ivanoviqit. Ndaj Radoiçiqit u lëshua urdhër-arresti në gusht të vitit 2019.

Kur ishte bastisur shtëpia e Radoiçiqit, ai nuk ishte gjetur në shtëpi ndërsa informacionet tregojnë se i njëjti disa minuta më parë ishte larguar ndërsa në banesën e tij ishin gjetur lëndë narkotike për çka edhe u hap dosje penale.