Gashi: Sot nga pushteti i idesë totalitare u synua që të kërcënohet demokracia

Shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi pas seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës ka thënë se “Sot nga pushteti i idesë totalitare u synua që të kërcënohet demokracia dhe rendi kushtetues dhe ndërmjet arrogancës së numrave u tentua që të imponohet mbi Kuvendin shantazhi dhe kërcënimi”.

Sipas Gashit, Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri tentoj që të kërcënoj secilin deputet të Kosovës dhe secilin qytetar për të imponuar mendësinë totalitare.

“Ne sot patëm një seancë e cila u thirr në orët e vona të natës për të imponuar kërcënimin dhe shantazhin. Nuk ka ndodhur asnjëherë në asnjë vend që sistemi zgjedhor të ndryshohet në mënyrë të njëanshme. Ne jemi këtu për të mbrojtur interesin e qytetarëve”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, nëse ky ligj nuk tërhiqet kryeministri Kurti e dërgon vendin në zgjedhje sepse është i paaftë dhe pa guxim.

Projektligji për Zgjedhjet nuk ka arritur të shqyrtohet fare, pasi ai nuk ka marrë votat e nevojshme prej 2/3 për t’u futur në trajtim në Kuvendin e Kosovës, duke shmangur procedurat e rregullta plenare, në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga pozita.