Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gashi: Sjellja e Policisë në Suharekë ka qenë absolutisht e papranueshme dhe jashtë çdo standardi normal, ligjor dhe etik

Policia e Kosovës sot gjatë ditës ka arrestuar një kameraman të portalit “Ekonomia Online” derisa ai ishte në krye të detyrës.

Kameramani ishte duke përcjellur ngjarjen kur Agjencia Kosovare e Privatizimit, e shoqëruar nga Policia e Kosovës, kanë shkuar në zyrat e ndërmarrjes “AgroKosova Holding”.

Forcat e rendit e kanë larguar kameramanin me dhunë nga objekti dhe pastaj e kanë prangosur dhe dërguar në stacionin policor në Suharekë.

Lidhur më këtë rast sot po ashtu gjatë ditës janë suspenduar nga puna dy zyrtarë policorë dhe pesë të tjerë janë dërguar në procedurë disiplinore.

Lidhur më këtë rast redaktori i KALLXO.com, Kreshnik Gashi, ka thënë se Policia e Kosovës ka treguar joprofesionalizëm.

Gashi këto komente i ka bërë në një intervistë për TV Dukagjini.

“Sjellja e Policisë ka qenë absolutisht e papranueshme dhe jashtë çdo standardi normal, ligjor dhe etik. Është njëra prej skenave ma të rënda që e kemi parë në vitet e fundit në raportin midis Policisë dhe gazetarëve. Këto skena i ngjasojnë vendeve diktatoriale, ku gazetarët arrestohen vetëm pse raportojnë”, ka thënë Gashi.

Gashi është shprehur se Policia nuk ka pasur asnjë kompetencë për të përjashtuar gazetarët nga aty.

“Censurimi i këtij takimi fillimisht nga ana e zyrtarëve policorë mendoj që ka qenë shkelje e kodit etik dhe shkelje e bazave të publiciteti dhe interesit publik”, është shprehur Gashi.

Gashi po ashtu ka folur edhe për raportin e Policisë lidhur me këtë ngjarje.

“Për mua ky ka qenë elementi më i çuditshëm, fakti që policia vendos me arrestu një gazetar, me e prangos në sy të publikut dhe në fund me dal më një komunikatë edhe me konfirmu që kjo ka qenë e ligjshme dhe policia ka vepruar mirë por në momentin kur policia është vendos përball presionit nga politika që kjo sjellje ka qenë e papranueshme dhe është marrë vendimi për suspendim kjo neve na tregon shumë”, thotë Gashi.

Gashi shprehet se në momentin kur patëm reagime nga opinion publiki e politik, Polica ndryshoi mendje.

Kreshnik Gashi thotë se me ardhë koha që me raportu në vitin 2022 që po arrestohet një kameraman në Kosovë, kjo është definitivisht shumë hapa mbrapa.

“Ne si gazetarë në vazhdimësi e kemi pasur Policinë e Kosovës krah gjatë punës tonë, i kemi pasur njerëzit që na kanë garantuar siguri, ky ndryshim i qasjes duhet me u ndëshku”, ka thënë Gashi.