Gashi: Situata në Shtërpcë mund të pasojë me kërkesë për moslejimin e FSK-së në komunat me shumicë serbe

Kreshnik Gashi nga KALLXO.com, ka thënë se incidenti në Shtërpcë nuk do të kalojë pa pasoja.

“Ky rast mundet me u nis menjëherë të shfrytëzohet si iniciativë për kthimin e strukturës së MUP-it në zonën e Brezovicës dhe të Shtërpcës, një strukture paralele e cila ka ekzistu dhe është shkatërru në vitet e fundit”- tha ai.

Rasti ngjashëm ai tha se po ndodh në Mitrovicë, siç theksoi ai janë shfaqur struktura paralele të cilat po merren me sigurinë e qytetarëve.

Gashi theksoi se kërkesa e radhës do të jetë që FSK-ja të mos lejohet të hyjë në komunat me shumicë serbe, siç ka ndodhur në veri, për shkak të kërkesës së Serbisë, të cilën NATO-ja e ka marrë si të mirëqenë.

Ai shtoi se ideja që FSK-ja është kundër komunitetit serb është e pavërtetë dhe potencoi se aty ka edhe pjesëtarë të komunitetit serb.

32 vjeçari A.K., është arrestuar më 6 janar, pas plagosjes së dy të rinjve, njëri 11 e tjetri 21 vjeç në fshatin Gotovushë të Shtërpcës. Ndaj të dyshuarit, i cili është pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjykata e Ferizajt i ka caktuar masën e paraburgimit për një muaj.

Sipas Prokurorisë ndaj të njëjtit rëndojnë akuza për tri vepra penale. A.K., është i dyshuar për veprat penale, “Vrasja e rëndë në tentativë”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

Kjo ngjarje ka ngjallur reagim të serbëve lokal në Shtërpcë, të cilët po atë ditë për disa orë bllokuan rrugën, ndërsa të nesërmen mbajtën një protestë.