Gashi: Sistemi i Drejtësisë po goditet nga kritikat e pandershme e të paarsyeshme
Kryeredaktori i Kallxo.com, Kreshnik Gashi, në emisionin “Dezinformatat në Drejtësi”, ka thënë se ky sistem ‘po goditet me kritika të pandershme e të paarsyeshme’.
,,Ajo çka kemi mbërri me konstatu është që Sistemi nuk goditet me kritikë të ndershme e të arsyeshme – por, me informacione që, në esencë, janë të pasakta. Synojnë në mënyrë jo të ndershme, me godit sistemin dhe me godit besimin e qytetarëve”- tha Gashi.
Ai bëri të ditur se kanë arritur të identifikojnë rreth 40 (katërdhjetë) artikuj, që në brendësi kanë pasur dezinformata për Sistemin e Drejtësisë.
,,Kemi mbërri me i prodhu rreth 40 FactChecks, që identifikojnë dezinformata për Drejtësi”- tha Gashi
Sipas tij, këto dezinformata vijnë nga influencerë, që nuk i kanë burimet e informacioneve të sakta.
,,Influencerët s’i kanë pasë burimet e sakta të informacioneve. Ne mendojmë që, nganjëherë, janë edhe të qëllimshme”- tha Gashi.
Sipas Gashit, qëllimet, për përhapjen e dezinformatave, janë me ndiku në dëshmitarë – ose, në qytetarë – të cilët si pikë reference në zgjidhjen e rasteve e kanë Gjykatën.
,,Qëllimi është që dëshmitarët mos me shku në Gjykatë. Mos me shku palët në Gjykatë, me i trajtu lëndët para tyre”- tha Gashi.
Gashi përmendi raste konkrete, ku njohës të Drejtësisë kanë dhënë Deklarata, duke thënë që, në Gjykatë ‘ka ende raste të pazgjidhura, që nga viti 2000’. Por që, kur i kanë verifikuar këto Deklarata, ka dalë se vetëm ‘një lëndë e vitit 2000’ është duke u trajtuar në Gjykatë.
Tutje, ai ka shpërfaqur edhe një rast tjetër: sipas tij, njohës të Drejtësisë kanë dalë me Deklarata ‘duke i përgjithësuar rastet’: se, gjoja për t’u zgjidhur një rast në Gjykatë duhen plot 25 vjet.
Sipas Gashit, këto ,,Deklarime” – që, janë pretendime të pambështetura – kanë një pasojë shumë të rëndë për qytetarin.
Tutje, ai tha se: ‘ekzistojnë qëllime që, me i shty qytetarët me heq dorë, nga Sistemi i Drejtësisë’ – duke aluduar në zgjidhje alternative/kanunore të rasteve.
Në këtë emision, ku u trajtuan temat e dezinformatave nga Sistemi i Drejtësisë, pjesëmarrës ishin: avokatja, Merita Stublla- Emini; gjyqtari, Ermir Ahmeti dhe këshilltari ligjor, Florent Spahija.