Kreshnik Gashi - Kallxo.com

Gashi: Shumica e sulmeve kibernetike në Kosovë kanë përfunduar pa hetime penale, pa u zbuluar kush po i kryen

Në emisionin “Kallxo Përnime” po diskutohet për rrjedhjen e informacioneve dhe gjendjen me sigurinë kibernetike në Ballkanin Perëndimor dhe në botë.

Në lidhje me këtë, Kreshnik Gashi, kryeredaktor i KALLXO.com, ka theksuar ngecjet e sistemit të drejtësisë në Kosovë për t’i luftuar dhe dënuar kryerësit e krimeve kibernetike.

Për këtë Gashi ka përmendur se Kosova ka qenë një prej vendeve të sigurta ku hakerët mund të bëjnë probleme edhe të eksportojnë probleme në vendet e rajonit dhe në botë.

“Në Kosovë e kemi një grup të njerëzve të cilët kanë qenë të arrestuar për vjedhje bankare, kanë klonuar kartela bankare edhe kanë vjedhur shuma bukur të mëdha të parave në SHBA. Janë një grup prej mbi 20 personave të cilët kanë qenë të arrestuar në një operacion të hetuesve ndërkombëtarë” – ka shpjeguar Gashi.

Si një problem tjetër ai ka potencuar edhe të dhënat që tregojnë për dënimet jomeritore ndaj kryerësve të krimeve kibernetike.

“Krejt kjo punë, krejt ky hetim disamujor, është parashkruar në gjykatat tona dhe njerëzit janë liruar si të pafajshëm dhe pasuritë e tyre, pronat e tyre, resurset e tyre nuk janë bllokuar. Sot ata njerëz janë të pastër para ligjit dhe sot ata njerëz mund të hyjnë në punë edhe në Qeveri të Kosovës sepse e kanë dosjen e pastër” – është shprehur ai teksa ka thënë se në Kosovë është krijuar një zonë e cila u mundëson kryerësve të veprimeve antiligjore të hakimit që t’i shpëtojnë ndjekjes së ligjit.

“Të gjitha sulmet ose shumica e sulmeve në Kosovë të cilat kanë ndodhur kanë përfunduar pa hetime penale, pa u zbuluar se kush po i bën këto sulme” – ka shtuar Gashi.