Gashi: Shkollat kanë nevojë për psikolog, e mitura i tregoi psikologes rastin e tentim-dhunimit

Kryeredaktori i KALLXO.com, Kreshnik Gashi, ka thënë se shkollat kanë nevojë për psikolog si dhe siguri brenda shkollave.

Ai këtë deklarim e dha pas rrëfimit të babait të një vajze të mitur që ishte tentuar të përdhunohet brenda një shkolle në Prishtinë gjatë vitit të kaluar.

Derisa i dyshuari për rastin është liruar nga paraburgimi.

“Nuk mundem ta kuptoj sistemin se si ka ardhur deri te ky përfundim edhe Prokuroria edhe Gjykata, që ky person nuk qëndron në paraburgim. Nëse e shohim profilin e këtij personi do duhej të shihej nëse ka edhe viktima tjera” – tha Gashi.

Sipas tij, ky rast vë në pah nevojën për psikolog në shkolla pasi aty vajza kishte folur fillimisht për rastin.

“Ajo që mund të shohim prej këtij rasti është një element shumë i rëndëishëm, gjatë gjithë kohës kemi folur për nevojën që shkollat të kenë psikolog për shkak se është ndihma profesionale e cila u shkon nxënësve. Ky rast është zbuluar sepse shkolla ka pasur psikologe, është denoncuar tek ajo dhe pastaj është proceduar tutje” – shtoi më tej Gashi.

Sipas tij, problemi është që disa vite pasi prezenca e personave të paautorizuar brenda shkollave është tentuar të zgjidhet me Polici.

“Problemi është 20-vjeçar për shkak se prezenca e personave të paautorizuar brenda shkollave është tentuar të zgjidhet me Polici, jo secila gjë zgjidhet me polici në shtet, duhet të ndërtohen mekanizma të sigurisë, shkollat të kenë roje, kamera të sigurisë” – theksoi Gashi.

Sipas tij, njerëzit që kërkojnë të heshten këto raste, si rasti me drejtoreshën e shkollës, duhet të shkojnë në burg.

“Njerëzit që kërkojnë të mos raportohen këto raste, duhet të shkojnë në burg. Kjo sepse është shqetësuese që brenda institucioneve ka raste të tilla dhe tentohen të shukaten, mos të bëhen të mëdha” – deklaroi Gashi.