Gashi: Qytetarët e veriut duhet të punojnë për zgjidhje të krizës në zonën ku ata jetojnë

Edhe qytetarët në veri të Kosovës duhet të mendojnë dhe të punojnë për një zgjidhje të situatës atje.

Kështu tha në emisionin “Kallxo Përnime”, Kreshnik Gashi, kryeredaktor i KALLXO.com.

Sipas tij, së fundmi është vërejtur një mungesë e interesimit të qytetarëve për të zgjidhur krizën në veri.

“Ajo çka kemi mbërritur të shohim në këto ditë është një mungesë e interesimit për të nisur për të zgjidhur situatën dhe për të nisur me gjetë zgjidhje në këtë krizë të cilën mendoj tash duhet me nisë vetë qytetarët e veriut me e zgjidhë për shkak se vendi ku ata jetojnë rrezikohet prej këtyre grupeve dhe këta duhet të nisin të krijojnë hapësirë për mekanizmat e sigurisë” – ka thënë Gashi.

Sipas tij, është koha që edhe qytetarët në veri të Kosovës të vendosin nëse duan që vendi i tyre të jetë zonë e sigurt apo jo.

“Kur po flas për mekanizmat e sigurisë nuk po flas veç për Policinë e Kosovës por edhe për KFOR-in, EULEX-in. Qytetarët që jetojnë në atë zonë duhet të nisin t’i thërrasin mendjes dhe të shohin se duan ta lënë qytetin apo fshatin e tyre si zonë dhe strehë të sigurt të grupeve të ekstremit apo duan ta kthejnë rendin dhe ligjin, policinë, t’i ftojnë njerëzit të rikthehen në Polici të Kosovës dhe me rinisë jetën institucionale në atë zonë” – është shprehur ai.

Gjatë ditës së djeshme, dhjetëra serbë kanë protestuar afër pikës kufitare në Jarinjë (brenda territorit serb) “në mbështetje të serbëve të Kosovës”.

Disa prej tyre kanë tentuar t’i afrohen pikës kufitare, por janë penguar nga forcat e Njësive Speciale të Policisë serbe.

Ndërkaq, në pikën kufitare të Jarinjës gjendeshin policët e Kosovës, e pak metra më në brendi të territorit të Kosovës forcat e KFOR-it kishin vendosur një postbllok dhe tela me gjemba.

Situata në veri të Kosovës është e tensionuar që nga 10 dhjetori.

Atë ditë, grupe qytetarësh serbë janë mbledhur në qytetet në veri të vendit për të protestuar kundër arrestimit të Dejan Pantiqit, ish-polic i Kosovës, i akuzuar nga autoritetet e Kosovës për organizim të sulmeve kundër zyrtarëve të KQZ-së dhe të Policisë së Kosovës.

Grupet e serbëve, pjesë e të cilëve janë edhe persona me maska e madje edhe me armë, kanë bllokuar rrugët kryesore drejt pikave kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.

Për çështje sigurie, Policia e Kosovës ka mbyllur për qarkullim këto dy pika kufitare.