Gashi: Qëllimi i parë i lajmeve të rrejshme në Kosovë është ndryshimi i të kaluarës historike

Kryeredaktori i KALLXO.com, Kreshnik Gashi, në debatin për ndikimin e lajmeve të rreme në Ballkanin Perëndimor ka theksuar disa prej llojeve të influencave të lajmeve të rrejshme në Kosovë.

Gashi tha se qëllimi i parë i lajmeve të rrejshme në vendin tonë është ndryshimi i të kaluarës historike dhe një identiteti që e kemi krijuar si komb.

“Qëllimi i parë i lajmeve të rrejshme në vendin tonë është ndryshimi i të kaluarës historike dhe një identiteti që e kemi krijuar si komb prej të kaluarës dhe analizat na kanë treguar që kemi pasur tentativa që të ndryshohet e kaluara historike, e cila ka një financim dhe duhet identifikuar”, ka thënë ai.

Gashi ka thënë se influencat e tjera vijnë prej jashtë vendit të financuara prej Rusisë.

“Influenca që na vjen prej jashtë vendit sidomos prej burimeve dhe qarqeve të financuara prej Rusisë dhe qëllim e kanë krijimin e ndjenjës së pasigurisë dhe problemet që tentojnë me përhapë panik në vendin tonë në çështjen e sigurisë”, tha ai.

Sipas tij, influenca e brendshme për lajme të rreme suportohet prej partive politike.

“Në Kosovë kemi pasur tendenca prej partive politike që të prodhojnë lajme të rrejshme për kundërshtarët e tyre politikë që në këtë mënyrë me marrë pushtetin në vendin tonë”, tha Gashi.

Tutje kryeredaktori i KALLXO.com  tha se në Kosovë si nismë e parë për prodhuesit e lajmeve të rrejshme ka qenë prej fondit të shtetit.

“Para të mëdha të ndërmarrjeve publike në Kosovë dhe institucioneve qeveritare kanë shkuar në llogaritë e portaleve që kanë prodhuar informacione të rrejshme apo propaganda politike. Vetëm në njërën prej ndërmarrjeve publike janë financuar mbi 110 portale që kanë funksionuar në Kosovë dhe pjesa ma e madhe nuk kanë qenë të regjistruara në Këshillin e Mediave të Shkruara”, ka shtuar ai.

Gashi ka shtuar se në Kosovë nuk ka plan shtetëror dhe strategjik që parandalon informacionet e rrejshme.

“Në vendin tonë lufta ndaj lajmeve të rrejshme është duke u zhvilluar vetëm prej disa organizatave të shoqërisë civile dhe prej disa mediave kredibile të cilat me mund dhe resurset e veta e bëjnë këtë punë por nuk ka asnjë plan shtetëror dhe strategjik që kish m’i parandalua informacionet e rrejshme”, ka thënë Gashi.