Gashi: Prokuroria Speciale e Kosovës 20 vjet pas lufte nuk ka regjistër se sa njerëz janë vrarë

Autori i emisionit ‘Drejtësia në Kosovë’, Kreshnik Gashi, në ‘Debat Plus’ të RTV Dukagjinit ka folur në lidhje me Gjykatën Speciale dhe krimet e luftës në luftën e vitit 1999 në Kosovë.

Gashi tha se Prokuroria Speciale e Kosovës nuk ka regjistër se sa njerëz janë vrarë në luftën e Kosovës.

“Ne nuk kemi regjistër se sa njerëz janë vrarë. Prokuroria Speciale e Kosovës nuk ka regjistër se sa njerëz janë vrarë në Kosovë, punojnë me shënime të një OJQ-je”, tha Gashi.

Tutje, Gashi tha se EULEX-i ka pasur resurse për të hetuar krimet e luftës, por që ‘i është zënë dera’ me lëndë civile, të cilat nuk kanë pasur lidhje me krimet e luftës.

Ai foli edhe për dosjet e mbledhura nga ana e shtetit Serb, të cilat më vonë janë përdorur kundër shqiptarëve.

“Në vitin 2000 ne kemi harruar që duhet me shku me bo dosje edhe në UNMIK edhe në EULEX, edhe në Hagë edhe në Gjykatë Speciale. Ndërsa Serbia nuk ka harruar kurrë, ata e kanë angazhu një armatë të tërë të juristëve, të cilët kanë mbledhë prova, kanë faktu prova, edhe ato që nuk kanë qenë për luftën tonë, kanë tentu me i argumentu. Ne çka kemi bo tutje, gjatë gjithë procesit, është kemi thirrë ndërkombëtarët, iu kemi hap rrugë atyre dhe i kemi thënë hajdeni gjykoni krimet e luftës”, tha Gashi.