Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gashi: Prokurorët e Kosovës janë të pavarur vetëm në letra

Kreshnik Gashi, redaktor në KALLXO.com në debatin për drejtësi të ‘Kallxo Përnime’, tha se prokurorët e Kosovës nuk janë të pavarur për të bërë punën e tyre.

Ai tha se kjo është njëra nga arsyet pse nuk burgosen personat që janë të lidhur me korrupsionin.

“Nuk kemi njerëz në burg për korrupsion, e për këtë ka një shpjegim shumë të thjeshtë: Prokurorët janë të pavarur në Kosovë vetëm në letër. Kur po e them këtë po flas për mekanizma të cilët e lidhin prokurorin me mekanizmin e hetimit e i cili na dëshmon se ka një varësi edhe në procedura në mënyrën se qysh zhvillohet një hetim  në Kosovë”, tha Gashi.

Tutje Gashi tha se prokurorët po ashtu janë të varur edhe nga ana e kryeprokurorëve.

“Në legjislacionin momental në Kosovë rregullat nënligjore kanë leju që prokurorët me qenë të varur, e para prej kryeprokurorit të tyre, i cili mundet që në momentin e parë nëse dëshiron me vu gisht në dosjet e lëndës me ndërhy dhe me pasë intervenim në punën e prokurorit dhe kjo na ndërton një mekanizëm që prokurorët nuk i bënë individualisht të pavarur në Kosovë”, tha Gashi.

Në debatin “Kallxo Përnime” po diskutohet për drejtësinë dhe luftimin e korrupsionit. Përballë Jeta Xharrës janë Selim Selimi, ministër në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ish-ministër i Drejtësisë, Shkëmb Manaj, ish-deputet në Kuvendin e Kosovës nga LDK dhe Kreshnik Gashi kryeredaktor i KALLXO.com.