Ilustrim

Gashi: Policia duhet ta ndryshojë qasjen ndaj viktimave të dhunës në familje

Në pjesën e dytë të emisionit “Jeta në Kosovë” është duke u diskutuar për pasojat dhe vështirësitë, sidomos për gratë, gjatë kohës së pandemisë së COVID-19.

Kreshnik Gashi, autor i emisionit “Drejtësia në Kosovë dhe redaktor në KALLXO.com, ka folur për trajtimin e rasteve të dhunës në familje.

Sipas Gashit, problemi i parë për trajtimin e dhunës është krahasimi i statistikave në Kosovë me vendet e BE-së.

“Problemin e parë që e shoh unë është te tenativa me kriju narrativën që dhuna në familje në Kosovë është e ngjashme me vendet e BE-së, statisikat janë si atje, pa e futur në analizë se ku janë problemet në Kosovë, se ku çalojmë si shoqëri për m’i trajtu krejt rastet e dhunës në familje”, tha ai në emisionin “Jeta në Kosovë”.

“Disa herë më e  madhe është shifra se sa që raportohet dhe thjesht ambienti ku na jetojmë nuk na lejon raportimin e dhunës në familje, sepse një grua që e raporton atë pasojat janë të mëdhaja tutje edhe në jetën e vet”, ka shtuar Gashi.

Ai theksoi se edhe qasja e Policisë së Kosovës duhet të ndryshojë karshi viktimave të kësaj dhune.

“Rastet  e dhunës në familje qysh trajtohen në polici,  duhet me pasë një trajtim shumë ma serioz për faktin se  policia duhet me ndërru qasjen, jo viktima më shku në polici por policia tek viktima, m’i tregu që shteti është aty”, ka thënë më tej Gashi.

 

Për këto tema po diskutohet me Albulena Haxhiun, ministre e Drejtësisë, Ramadan Ahmeti – Policia e Kosovës, Adelina Tërshani, autore e teksteve si dhe koordinatore e projekteve në Rrjetin e Grave, Dijana Simiq, aktiviste që punon me viktimat e dhunës dhe Kreshnik Gashi, autor i emisionit “Drejtësia në Kosovë”.