Foto; KALLXO.com

Gashi: Policët frikësohen të flasin për problemet që i ka Policia

Kryeredaktori i KALLXO.com, Kreshnik Gashi, ka thënë se Policisë së Kosovës është duke i munguar e drejta për të folur në lidhje me problemet që i ka në furnizim me pajisje.

Duke komentuar mungesën e drejtuesve të Policisë në debatet ku flitet për problemet e Policisë së Kosovës, në emisionin ‘Kallxo Përnime’ Gashi tha se arsyeja e mungesës së tyre është politike.

“Arsyeja që ata nuk janë në këtë debat, mendoj se duhet të jetë arsye politike që dikush ka thënë “Stop!”, mos me ardhë në debate të tilla dhe mos me guxu me avoku për mungesat të cilat i kanë dhe me folë për të drejtat e tyre. Definitivisht duhet me u diskutu kjo punë dhe me u pa pse Polica e Kosovës nuk merr pjesë në debate, ku flet për kushte të punës, për mungesa të furnizimit, për planifikimin buxhetor e të tjera”, tha Gashi.

Sipas tij, kjo tregon një hap prapa në drejtim të transparencës dhe llogaridhënies së Policisë së Kosovës, por edhe të ngritjes së zërit për të drejtat e policëve në vendin tonë.

Tutje, Gashi ka thënë se për shkak të ‘mbylljes së gojës për Poilcinë’ janë krijuar më tutje pasoja tjera sistematike, që kanë dërgu deri te dështimi i operacioneve.

“Për shkak se Policia e Kosovës nuk ka folë për problemet të cilat i ka. Ka pasur mungesë të furnizimeve, ka pasur mungesë të rritjes së kapaciteteve, ka pasur probleme në proceset e degradimeve. Sot nuk jam i gëzuar për faktin që jemi duke folur për pajisjet elementare të një polici, pa të cilat ai nuk kish mujtë me dalë në rrugë”, deklaroi Gashi.

Ai tha se aktualisht Policia ka probleme me furnizim me këpucë, uniforma e jelekë antiplumb.

“Sot policit të Kosovës i ka mbetur vetëm një armë e zjarrit të cilën e ka në brez, e cila definitivisht nëse vazhdojmë me këtë trend të blerjes, ka mundësi që edhe municioneve me i kalu afati dhe polici me mbetë edhe pa armën e vet”, tha Gashi.

“Vazhdimisht flasim për policinë më të mirë në rajon, mirëpo e kemi policinë me më së paku pajisje në rajon. Polici i Kosovës nuk ka komunikim alternativ, përpos telefonit, në të paktën katër komuna të vendit. Në momentin kur kalojnë jashta urës së Ibrit, komunikimi i Policisë së Kosovës bie”, tha Gashi.

Kreshnik Gashi po ashtu tha se një problem tjetër është edhe çështja e menaxhimit të flotës së veturave të Policisë së Kosovës.

“Secili polic i Kosovës të tregon se kur i dërgojnë veturat në flotë, pajisjet kushtojnë disa herë më shtrenjtë se servisi normal, e në anën tjetër kurrë nuk ka pasur hetim të detajuar se çka ndodh me atë sistem”, tha ai.