Gashi: Përgjegjësia kryesore e plagosjeve në Shtërpcë është e institucioneve të sigurisë që nuk e kanë shtuar prezencën e policisë

Kreshnik Gashi, redaktor menaxhues në KALLXO.com, ka thënë se përgjegjësia kryesore e 2 plagosjeve të ndodhura në Shtërpcë nga pjesëtari i FSK-së bie edhe mbi institucionet e sigurisë për shkak se nuk ka pasur një plan për të ruajtur nivelin e sigurisë në kohën kur serbët kanë dalë nëpër rrugë për të festuar krishtlindjet ortodokse.

“Nuk ka qenë e përgatitur për me e trajtu këtë situatë. Kisha me thanë që e ka nxanë në gjumë kjo situatë Policinë e Kosovës, në mënyrë që me parandalu incidente të tilla që munden me çu në konflikte ndëretnike”- tha Gashi.

 

 

Ai theksoi faktin që nuk ka pasur prezencë të shtuar të policisë në atë rajon dhe nuk ka pasur një planifikim të policisë, i cili ndodh gjatë festës së Vidovdanit në qershor, ose në kohën kur ka vizita më të mëdha të serbëve në Kosovë.

Emisioni #KallxoPernime është duke u transmetuar në RTV Dukagjini dhe në Facebook të KALLXO.com ku është duke u diskutuar për tensionet në Shtërpcë.

Disa prej pyetjeve të ngritura janë se si ndodhi kjo ngjarje?

A jemi duke dështuar në menaxhimin e tensioneve etnike?

A kemi plan për të parandaluar rritjen e tensioneve të vazhdueshme në këtë kohë?

Cilat duhet të jenë veprimet konkrete të Qeverisë për të shmangur provokimet e mundshme në të ardhmen?

32 vjeçari A. K., është arrestuar më 6 janar, pas plagosjes së dy të rinjve, njëri 11 e tjetri 21 vjeç në fshatin Gotovushë të Shtërpcës.

Ndaj të dyshuarit, i cili është pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjykata e Ferizajt i ka caktuar masën e paraburgimit për një muaj.

Sipas Prokurorisë ndaj të njëjtit rëndojnë akuza për tri vepra penale.

A. K., është i dyshuar për veprat penale, “Vrasja e rëndë në tentativë”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

Kjo ngjarje ka ngjallur reagim të serbëve lokal në Shtërpcë, të cilët po atë ditë për disa orë bllokuan rrugën, ndërsa të nesërmen mbajtën një protestë.