Gashi përballë një interpelance për incidentin në Aeroportin e Shkupit

Interpelanca ndaj kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, do të jetë pika e parë e rendit të ditës në seancën plenare që do të mbahet më 3 shtator.

“Do të jetë mesazh i mirë për të gjithë, për publikun dhe për partitë politike se ne jemi të hapur për debat”, tha Gashi në një prononcim për media.

Sipas Rregullores së re të Kuvendit, nëse ndonjë anëtar i Kuvendit bën kërkesë për interpelancë ndaj kryeparlamentarit, kjo çështje duhet të vendoset si pikë e parë e seancës së radhës plenare.

Kërkesa për interpelancë ndaj Gashit u bë nga deputetët e partisë E Majta, pas incidentit në Aeroportin e Shkupit më 1 gusht, ku u përfshi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Atëbotë, Lidhja Social Demokrate opozitare kërkoi largimin e Gashit, duke thënë se ai ishte përgjegjës për incidentin. Deputetët opozitarë e mbajnë përgjegjës Gashin dhe i kanë kërkuar kryeministrit maqedonas, Hristijan Mickoski, i cili ka thënë se nuk mbështet një interpelancë ndaj Gashit.

Incidenti ndodhi pasi zyrtarët e Aeroportit të Shkupit, sipas Presidencës së Kosovës, tentuan t’i merrnin telefonin personal presidentes Osmani, gjatë kontrollit në aeroport. Ajo dhe pjesëtarët e sigurimit të saj më pas thirrën në telefon Gashin për ta informuar për incidentin, duke besuar se në këtë rast ishin shkelur praktikat ndërkombëtare. Gashi deklaroi më 27 gusht se ai reagoi pas kësaj telefonate, me qëllim që të shmangte një incident të madh.

Çfarë tha Presidenca për incidentin në aeroport?

Presidenca e Kosovës ka akuzuar autoritetet e Maqedonisë së Veriut për shkelje të praktikave ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, duke thënë se, gjatë 1 gushtit, presidentes Vjosa Osmani është tentuar t’i merret telefoni personal nga një pjesëtar i sigurimit të Aeroportit të Shkupit (TAV).

Incidenti ka ndodhur para udhëtimit të planifikuar të Osmanit drejt Sllovenisë, ndërsa Presidenca e Kosovës nuk ka bërë të ditur nëse qëllimi i udhëtimit të saj ka qenë zyrtar apo i natyrës private.

Presidenca kosovare ka thënë se përkundër se i janë bërë të ditura rregullat diplomatike, sigurimi “ka tentuar fizikisht ta shtyjë presidenten, me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën”.

Ky institucion po ashtu ka thënë se ndodhitë e 1 gushtit nuk mund të vlerësohen ndryshe, veçse “një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident”.

Presidenca e Kosovës tha më 2 gusht se në vend se të kërkojë falje, MPB-ja maqedonase “ka arsyetuar në tërësi kërkesën e sigurimit të aeroportit për ta marrë dhe për ta vendosur në skaner telefonin personal të presidentes së Kosovës, i cili përdoret nga kreu i shtetit edhe për komunikime zyrtare për çështje të sigurisë nacionale”.

Kryeparlamentari Gashi gjatë konferencës tha se pas telefonatës së Osmanit, ai dëshironte që së bashku me sigurimin e tij të shkonte në Aeroport, por nuk mundi për shkak të obligimeve të tjera. Sigurimi i tij shkoi në Aeroport dhe u informua më pas se incidenti ishte zgjidhur. Gashi shtoi se nuk i kishte kërkuar askujt të vepronte në mënyrë të paligjshme.

Pas incidentit, Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut tha se kreu i sigurimit të Gashit dhe dy anëtarë të tjerë të ekipit të tij, nën urdhrat e kryeparlamentarit, shkuan në zonën VIP të Aeroportit dhe u konfrontuan me policët e Aeroportit, pasi kishin insistuar që presidentja Osmani të kalonte pa iu nënshtruar kontrollit të sigurisë. Një departament brenda kësaj ministrie pezulloi nga puna shefin e sigurimit dhe hapi procedurë ndaj dy truprojave të tjerë.

Për shkak të incidentit në Aeroportin e Shkupit, Ministria e Jashtme e Kosovës i nisi një notë proteste Shkupit më 2 gusht, duke kërkuar sqarim të plotë të kësaj ngjarjeje.

Dy ditë më pas, më 5 gusht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi Maqeodninë e Veriut dhe diskutoi me Mickoskin për këtë incident.

Të dy thanë se incidenti nuk ka prekur raportet mes dy shteteve, teksa Kurti tha se po priste raportin e hetimit të kryer nga autoritetet maqedonase./REL