Gashi për Vjosa Osmanin: Është më e përgjegjshme se Kadri Veseli
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, në seancën e Kuvendit të Kosovës është përkujdesur që ta lavdërojë Kryeparalmentaren Vjosa Osmani, të cilën LDK ditë më parë e shkarkoi nga pozitat në parti.
Gashi kritikoi sjelljen e ish-Kryeparlamentarit Kadri Veseli duke thënë që një gjë të tillë nuk do ta bënte Vjosa Osmani.
“Ish-kryetari i Kuvendit, për ta provokuar opozitën bënte selfie prej ulëses së kryetarit. Kjo është padinjitetshme për një kryetar të Kuvendit, çoftë edhe për Vjosa Osmanin e cila është kolegia jonë, nëse do të vepronte ashtu do ta kishte kritikën time, por se besoj që vepron ashtu sepse ka përgjegjësi dhe është e përgjegjshme”, tha Gashi.
Ditë më parë Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka shkarkuar Vjosa Osmanin nga postet udhëheqëse në parti, teksa Osmani ka paralajmëruar të gjithë ata që votuan për largimin e saj, se do të shihen së shpejti në zgjedhje.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka njoftuar se për shkarkimin e Osmanit nga posti i nënkryetares dhe anëtares së kryesisë, kanë votuar pro 70 anëtarë të Këshillit, 16 kanë qenë kundër dhe 28 nuk kanë marrë pjesë në votim, i cili është zhvilluar në mënyrë elektronike.
Mustafa ka njoftuar se Këshilli ka votuar që Avdullah Hoti të marrë postin e nënkryetarit të partisë.
Kuvendi është duke i vazhduar punimet për shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar si dhe disa projektligje të tjera.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) përmes deputetit Memli Krasniqi ka thënë se sdo ti votoj asnjë nga pikat e rendit të ditës, pasi që sipas tyre as LDK-ja sa ishte në opozitë nuk ka votuar marrëveshjet ndërkombëtare.