Këshilltari i Ilir Metës kritikon organizimin pas tërmetit

Flamur Gashi, këshilltari i presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta dhe ish-ambasador në Bosnje, në emisionin “Jeta në Kosovë” kushtuar tërmetit në Shqipëri ka thënë se organizimi i qytetarëve është i mrekullueshëm pas tërmetit ndërsa për atë institucional ka thënë se lë shumë për të dëshiruar.

“Është e vërtetë që është një organizim i çorganizuar në terren. Janë disa kampe të ngritura. Kampi në stadiumin e qytetit të Durrësit, kampi në Sukth, kampi në Fushë Krujë dhe kampi në Thumanë, janë vendosur tendat, janë vendosur njerëzit nëpër tenda, janë caktuar përgjegjësit e atyre kampingjeve, kanë filluar të ofrohen vullnetarë por çdo gjë po shkon në njëfarë mënyre në një stres të paorganizuar. Kjo ka të bëj edhe me arsyen që ka lëkundje të pandërprera dhe njerëzit nuk janë të përqendruar edhe aty”, ka thënë Gashi në emisionin “Jeta në Kosovë”.

Gashi ka thënë se është dashur të marrin mësim nga dy tërmetet që kanë ndodhur gjatë këtij viti në Korçë. Sipas tij, janë prapa nga ajo që është dashur të bëjnë deri tani, kur kanë kaluar dy ditë nga tërmeti vdekjeprurës me magnitudë 6.4 shkallë Rihter.

“Organizimi i qytetarëve është i mrekullueshëm. Fatkeqësisht lënë për të dëshiruar organizimi institucional në këtë rast. Vullneti i mirë është, dje është krijuar një shtab. Jemi prapa me atë që është dashur të bëhet sepse ne kemi pasur rastin e Korçës, tërmeti që ka ndodhur në Korçë, kemi dy tërmete, vetëm këtë vit që kanë ndodhur në Korçë dhe ishin sinjalet e para që mund të kishim tërmete të tilla”, ka theksuar Gashi.

Këshilltari i presidentit Ilir Meta ka potencuar se gjendja në terren është shumë më keq se sa po transmetohet në televizion. Sipas tij, gjindja është alarmante në të gjithë vijën bregdetare nga Kavaja në Lezhë.

“Gjendja është jo për panik por është shumë më keq se sa që shihet në televizion. Nuk janë vetëm Thumana dhe Durrësi ku janë përqendruar mediat. Mediat janë përqendruar në këto dy qendra për shkak të viktimave në njerëz. Por gjendja është tepër alarmante në të gjithë vijën bregdetare nga kufiri i Kavajës me Lushnjën deri në kufi me Lezhën. Komplet ajo zonë e fshatrave të Durrësit dhe të Laçit por edhe një pjesë e Fushë Krujës janë të traumatizuar. Janë me mijëra njësi të banimit të cilat të cilat janë të rrezikshme që banorët të jenë sot në to”, ka thënë Gashi.

Në pjesën e dytë të emisionit “Jeta në Kosovë” kushtuar tërmetit në Shqipëri kanë qenë të ftuar Flamur Gashi, këshilltar i presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta; Kreshnik Gashi, autori i emsionit “Drejtësia në Kosovë” dhe redaktor në KALLXO.com, Venera Goxha, doktor shkence për arkitekturë, menaxhim të planifikimit urban dhe të ambientit dhe Misin Misini, inxhinier i ndërtimtarisë dhe ligjërues në Universitetin e Prishtinës për rreziqet nga tërmeti.

Në pjesën e parë të këtij emisioni, përballë Jeta Xharrës ka qenë e ftuar kandidatja për kryeministre nga LDK, Vjosa Osmani.

www.kallxo.com