Gashi: Nuk zgjidhen problemet e dhunës vetëm me ndëshkim

Për rastet e dhunës, për të cilat institucionet po marrin masa vetëm pas bërjes së tyre publike, ka folur Kreshnik Gashi, redaktor i KALLXO.com.

Në emisionin “Kallxo Përnime” Gashi tregoi nëse këto raste të dhunës mund të zgjidhen vetëm me ndëshkim.

Gashi tha se ndëshkimi nuk është gjithmonë zgjidhja e rasteve të tilla.

“Jo gjithmonë dhuna me dhunë zgjidhet, jo gjithmonë dikujt që ushtron dhunë duhet me ia futë një kallash të policisë në fyt edhe me vazhdu tutje” – shprehet Gashi.

Kështu Gashi tha pasi u pyet se çfarë ka ndodhur me rastin që ishte publikuar nga KALLXO.com. Pamjet tregonin një prind duke ushtruar dhunë ndaj vajzës së tij të mitur në mes të rrugës, në Prizren.

Po ashtu, Kreshnik Gashi foli edhe për rastin që dje u bë publik. Një grua e moshuar ishte rrahur në një qendër për të moshuar në Pejë nga një infermiere.



Për rastin e parë Gashi tregoi se burri është arrestuar, e për të dytin është bërë e ditur që infermierja e dyshuar për sulm ndaj të moshuarës është arrestuar e po ashtu edhe dy infermiere të tjera që kanë qenë të pranishme në ngjarje janë vënë në pranga.

Gashi tregon se të gjitha institucionet e Kosovës kanë probleme me dhunën. Ai thotë se nuk është që është vetëm një rast i izoluar.

“Në të gjitha institucionet, kemi prej policisë, kemi pamje që njerëzit, eprorët e policisë aq shumë i rrahin njerëzit brenda stacioneve policore, kemi totalitarizëm në këtë shtet, kemi njerëz që mendojnë që ligjin duhet me e bë ata” – shprehet Gashi.

Tutje redaktori i KALLXO.com thotë se përpos dhunës në shkolla, ka problem edhe me konceptin e dhunës në shkolla.

“Në secilën mbledhje të prindërve ku marrim pjesë, ke prindër që vijnë edhe i thotë mësuesit: “Rrehe nxënësin!”  Ose e ke edhe mësuesin që thotë: ‘Valla nuk po më ngojnë, përpara është kanë ma mirë kur e kena pasë dhunën si mjet'” – thotë Gashi.

Ai tutje merr si shembull rastin e të moshuarës duke thënë se të gjitha reagimet, edhe ato nga personat që janë figura publike, janë duke kërkuar ndëshkim ndaj infermieres.

“Ajo nuk ka nevojë me i ushtru më dhunë, ka nevojë me e çu te psikiatri. Dikush që ushtron dhunë ndaj një të moshuare ka nevojë për me shku te psikiatri. Kot e çojna në burg atë njeri, kurrgjë nuk kena me i bo, në paraburgim ajo ka me ndejtë në një dhomë, ka me dalë edhe më problematike” – shprehet Gashi.

Sipas tij, në Kosovë nuk ka proces të identifikimit të dhunës, të trajtimit të dhunës e as proces që do e trajtonte problemin në mënyrë profesionale.

Gashi thotë se pamjet që janë parë dje të rastit në Pejë janë edhe më të shpeshta, e ato janë edhe brenda në familje. Sipas tij digjitalizimi ka bërë që të shpërfaqet ajo që në të vërtetë ndodh.