Arben Gashi LDK, Foto: KALLXO.com

Gashi: Nuk e votuam shkarkimin e Bordit të ARH-së pa opinionin e zyrës ligjore

Arben Gashi, kryetar i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës ka kërkuar që në Kuvendin e Kosovës të votohet për shkarkimin e Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave pasi që të merret opinion nga zyra ligjore.

“Ne mbledhjen e kaluar ne ishim dakorduar në kryesi, të kemi në rend dite shkarkimin e bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, por paraprakisht të kemi opinion të zyrës ligjore të Kuvendit se si e vlerëson juridikisht nga aspekti profesional zyra ligjore e Kuvendit këtë proces”, ka thënë Gashi.

Ai ka bërë të ditur arsyen e largimit të deputetëve të LDK-së nga salla plenare në kohën e votimit.

“Ne kërkuam kohë që të shpërndahet interpretimi i zyrës ligjore të Kuvendit. Nuk u dha kjo kohë dhe u futën direkt në votim dhe për këtë arsye, ne u larguam nga seanca”, është shprehur Gashi.