Gashi: Nuk do të duhej që veriu të shndërrohej në zonë të ekstremistëve

Kreshnik Gashi, kryeredaktor i KALLXO.com, situatën në veri të Kosovës e ka konsideruar si shqetësuese.

“Ajo që e kemi parë dje në Jarinjë, dhe lajmet  e fundit që na kanë treguar se grupet e ekstremit të djathtë nisur nga Rusia e duke ardhur prej gjithë Ballkanit kanë synuar të mblidhen afër veriut të Kosovës është shqetësuese dhe duhet të ndalohen definitivitsht sepse grupet terroriste ose të ekstremit synojnë të gjejnë territore të lira dhe të ndërtojnë prezencën e tyre në publik që të krijohen dhe të kenë ndikim te qytetarët” – është shprehur Gashi në emisionin “Kallxo Përnime”.

Ai ka thënë se kësisoj janë krijuar grupe të ndryshme terroriste në botë.

“Kështu është krijuar edhe ISIS, kështu janë krijuar edhe grupe të mëdha që e kanë dominuar zona të caktuara në Afrikë dhe Azi “- është shprehur ai.

Tutje Gashi ka thënë se nuk do të duhej që veriu të shndërrohej në një zonë të ekstremistëve dhe njerëzve që janë të lidhur me grupe të dyshimta.

“Ky është rreziku me të cilin definitivsht duhet të përballen institucionet e Kosovës por edhe mekanizmat ndërkombëtarë e po ashtu edhe Republika e Serbisë, për shkak se aty ku grupet e ekstremit të djathtë kanë një hapësirë të lirë me vepru nuk është e mirë për dy shtetet, nuk është e mirë as për Ballkanin e as për Evropën për shkak se nuk do të duhej që veriu të shndërrohej në një zonë të ekstremisteve dhe njerëzve që janë të lidhur me grupe të dyshimta” – ka vazhduar Gashi.

Gjatë ditës së djeshme, dhjetëra serbë kanë protestuar afër pikës kufitare në Jarinjë (brenda territorit serb) “në mbështetje të serbëve të Kosovës”.

Disa prej tyre kanë tentuar t’i afrohen pikës kufitare, por janë penguar nga forcat e Njësive Speciale të Policisë serbe.

Ndërkaq, në pikën kufitare të Jarinjës gjendeshin policët e Kosovës, e pak metra më në brendi të territorit të Kosovës forcat e KFOR-it kishin vendosur një postbllok dhe tela me gjemba.

Situata në veri të Kosovës është e tensionuar që nga 10 dhjetori.

Atë ditë, grupe qytetarësh serbë janë mbledhur në qytetet në veri të vendit për të protestuar kundër arrestimit të Dejan Pantiqit, ish-polic i Kosovës, i akuzuar nga autoritetet e Kosovës për organizim të sulmeve kundër zyrtarëve të KQZ-së dhe të Policisë së Kosovës.

Grupet e serbëve, pjesë e të cilëve janë edhe persona me maska e madje edhe me armë, kanë bllokuar rrugët kryesore drejt pikave kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.

Për çështje sigurie, Policia e Kosovës ka mbyllur për qarkullim këto dy pika kufitare.