Gashi: Njerëzit nuk frikohen me vjedh sepse nuk ka asnjë rast që ka përfunduar me burg

Kreshnik Gashi, redaktor në BIRN Kosova, ka deklaruar se keqpërdoruesit e buxhetit të Kosovës po janë të lirë të vazhdojnë me keqpërdorime, pasi nuk ka asnjë rast që të tillët kanë përfunduar në burg të gjatë për këso vepra penale.

Gashi këto deklarata i dha sot në ngjarjen “Arritja dhe sfidat në prokurim publik në Kosovë” që po mbahej me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, në Prishtinë.

“Puna që është identifikuar prej shoqërisë civile, dhe raportuar, fatkeqësisht ende në Kosovë nuk e ka marrë verdiktin final. Kishim me qenë shumë të lumtur sot nëse ata që e kanë keqpërdorë buxhetin e shtetit, nuk kishin mundur të na shohin prej shtëpive, banesave dhe veturave të tyre luksoze por vetëm në lajmet e orës 19:00 prej burgut të Dubravës. Fatkeqësisht në Kosovë ende nivel të llogaridhënies për shkeljet që i raportojmë. Kjo mungesë e hetimit që po ndodh në prokurimin publik na ka krijuar problem të madh”, thotë ai.

“Njerëzit nuk frikohen me vjedh dhe keqpërdorë buxhetin e shtetit. Këto kishin mu zgjidh në momentin ku na kemi një mekanizëm që njerëzit do ta kishin frikën me vjedh. Çdo njëri që punon në prokurimin publik, do të mendohej dy herë po ta kishte një rast të përfunduar, ku dikush ka marrë burg të gjatë për keqpërdorim qoftë edhe për mbjelljen e një fidani të pemës”, u shpreh Gashi.

Sipas Gashit, nuk është vetëm prokurimi publik ku mund të bëhen keqpërdorime. Ai thotë se keqpërdorime ka edhe në lejet e ndërtimit, licencat, planet rregulluese, prona shtetërore të dhëna në shfrytëzim.

“Llogaridhënia ka me qenë çelësi i suksesit në këtë punë”, tha kryeredaktori i KALLXO.com.