Gashi: Nga sot Ushtria e Kosovës do të kontribuojë që paqja të vendoset kudo në botë

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se sot është një ditë e madhe për Kosovën, pasi Kuvendi i Kosovës voton për dërgimin e FSK-së në misione paqeruajtëse jashtë vendit.

Por Gashi pati kritika edhe për opozitën.

“Siç po e shihni nganjëherë kërkesat e ambasadorëve të një vendi të rëndësishëm qenkan të pranueshme për të gjithë. Po më vjen keq që po e dëgjoj edhe këtu mllefin e sharrës e të thikave të para disa dite”, tha Gashi.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së tha se Kosova e ka nder që të fillojë kaq mbarë vitin e ri.

“Sot Ushtria e Kosovës me lejen e Kuvendit shkon në një mision paqeruajtës me kërkesën e ShBA-ve, nuk është pak por është shumë për një shtet të vogël si Kosova. Është një ditë e madhe për Kosovën. Ka nder që të filllojë mbarë vitin e ri. Ushtria e Kosovës e cila edhe me Kushtetutë është garanci i paqes, nga sot do të kontribojë që paqja të vendoset kudo në botë”, tha Gashi.

Ndërsa deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu, kritikuar Qeverinë se pse e ka vonuar një vendim të tillë, që sipas tij, rrezikonte të dështonte si mision.

“Është jashtëzakonisht e rëndëshime për vendin e për FSK-në që të dërgohën ushtarë në misione paqeruajtëse. Kjo përbën një moment të veçantë. Është një avancim serioz, duhet të jemi falënderues ShBA-ve. Nëse do të vinte vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Qeverisë, atëherë ky mision do të dështonte”, ka thënë Aliu.

Kuvendi i Kosovës është mbledhur në seancë të jashtëzakonshme për të votuar propozimin e Qeverisë për dërgimin e FSK-së në misione paqeruajtëse jashtë vendit.