Gashi: Nga 28 kolegje private, 18 e kanë humbur akreditimin

Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Naim Gashi, ka thënë se nga 28 kolegje private në Kosovë, vetëm 10 kanë akreditim, derisa 18 prej tyre nuk kanë marrë rezultat pozitiv gjatë procesit të vlerësimit në tre vitet e fundit.

“Janë 18 institucione private të arsimit të lartë që në tri vitet e fundit e kanë humbur akreditimin institucional. Kemi pasur 28, tani janë 10, kjo për shkak se kanë dështuar që të marrin rekomandim pozitiv nga ekspertët ndërkombëtarë”- ka thënë Gashi në emisionin “Kallxo Përnime”.

Sipas tij, universitetet publike të vlerësuara të gjitha janë akredituar, por ka programe që u janë mbyllur.

“Universitetet publike kanë qenë 4-5 në vlerësim, akreditimin e kanë marrë të gjitha, por ka shumë programe të mbyllura. UP nuk ka marrë akreditim në 6 programe akademike në vitin e kaluar, si: elektro-energjetika, një drejtim në FSHMN, Edukatë Fizike dhe disa në doktoratë”- shtoi Gashi.

Drejtori i AKA-së theksoi se licenca e kolegjeve nuk merret nëse një herë i dështon akreditimi. Sipas tij, kjo ndodh kur dështojnë dy herë në akreditim.

“Herën e parë kur dështon në akreditim institucional, nuk u merret licenca, duhet të dështojnë dy herë në akreditim për t’iu marrë licenca. Prej kohës së mosakreditimit nuk mund të regjistrojnë studentë të rinj, pastaj i takon Ministrisë së Arsimit të merret me procedurat tjera”- ka thënë Gashi.