Gashi: Në qershor ishte zhdukur 11-vjeçarja, asnjë polic nuk kishte dalë në terren për ta kërkuar

Në emisionin “Kallxo Përnime” po transmetohet debati për dosjen e dhunimit të 11-vjeçares, e cila dyshohet se ka qenë viktimë e dhunimit seksual edhe gjatë muajit qershor të këtij viti.

Në lidhje me këtë, kryeredaktori i KALLXO.com, Kreshnik Gashi, ka thënë se në rastin e 11-vjeçares policët nuk e kanë kryer punën e tyre profesionalisht ngaqë ata, sipas tij, nuk kanë dalë për ta kërkuar vajzën 11-vjeçare kur në qershor ajo ka qenë e zhdukur për 24 orë.

“Nuk mendoj që ata (policët) e kanë kryer punën e tyre profesionalisht për shkak se shtytësi kryesor i punës së prokurorisë në Kosovë është Policia… Këtu nuk besoj që kemi pasur policë të vullnetshëm për ta kryer rastin sepse po shihet që kurrkush kerrit nuk i ka hypë për me dalë në terren” – ka thënë Gashi.

“Asnjë provë nuk është që një polic i ka hypë kerrit për të dalë dhe për ta kërkuar vajzën nëpër qytet. Kurrkund nuk është hiç, në dosje nuk e sheh, në raportin që sot Prokuroria e Shtetit e tha nuk e sheh, në deklaratat e ministrit të Punëve të Brendshme nuk e sheh” – ka vijuar ai.

Gashi po ashtu ka theksuar se duhet të jepen sqarime se pse nuk është publikuar fotografia e të miturës kur ajo është raportuar si e zhdukur.

“Në Kosovë në momentin që një person shpallet i zhdukur policia dhe prokuroria do të duhet t’ia publikonin fotografinë e tij në media, në internet, në faqen zyrtare për ta shpallur atë person të zhdukur. Këtë e bëjnë për disa raste, kemi shembuj kur e kanë bërë. Duhet të jepet sqarim pse për 11-vjeçaren nuk e kanë publikuar fotografinë e saj dhe m’i kërku çdokujt që e sheh në publik me raportu se ku ndodhet ajo” –  është shprehur Gashi teksa ka potencuar se në qershor e mitura ka qenë e zhdukur për 24 orë prej orës 8:00 në mëngjes deri në ora 8:00 të mëngjesit të nesërmen.