Gashi në KALLXO Përnime: Policët që i kemi parë në pamje duke u shpullatur para barnatoreve nuk janë policë shqiptarë, janë policë serb

Në emisionin #KallxoPërnime u transmetua debati me rrëfime ekskluzive për veriun e Kosovës.

 

I ftuar në këtë debat është edhe Kreshnik Gashi, redaktor në KALLXO.com.

Lidhur me këtë çështje Gashi ka përmendur edhe rastin e një operacioni për barnat që është zhvilluar në Veri të Mitrovicës.

Fillimisht ishte Aleksandar Arsenijeviq, themelues i iniciativës qytetare “Mbijetesa Serbe”, i cili përmendi një operacion të njësisë speciale në Veri të Mitrovicës.

Për këtë ai cilësoi se njësia speciale ka sjellje më të ashpër në Veri të Kosovës se sa në Prishtinë.

“Gjatë vitit të fundit ne si qytetarë, shumica nga veriu qeverinë e re të Albin Kurtit shumica e kanë përjetuar si ndryshim, si diçka të mirë. Megjithatë, na ka goditur uji i ftohtë. Vitin e kaluar para zgjedhjeve lokale kishim paraqitje lufte, pastaj konfiskim të barërave, ardhja e njësive speciale. Nuk dua të bëj ndasi ndërmjet qytetarëve por unë e kam parë si kanë reaguar këto njësi në Prishtinë me ato pajisje për të penguar demonstratat, pra me mburoja e të tjera, dhe i kam parë kur vinin në veri me tyta të drejtuara në drejtim të njerëzve” – u shpreh Arsenijeviq.

Mirëpo, Gashi iu kundërpërgjigj atij duke thënë se ky operacion është nisur nga policët e veriut.

“Operacioni që po e përmendim që është zhvilluar për barnat është nisur me njësi të rregullta, është nisur me polic të veriut. Njësia speciale e ka kryer ndërhyrjen. Policët që i kemi parë në pamje duke u shpullatur para barnatoreve nuk janë policë shqiptarë, janë policë serb.  Është njësia speciale e policëve serb. Prokurori ka qenë serb që e ka urdhëru bastisje, gjyqtari ka qenë serb i cili e ka urdhëruar bastisje” – ka thënë Gashi teksa ka theksuar se prokurori dhe gjyqtari që e kanë urdhëruar bastisjen kanë qenë serbë.

“Tash problemi është ne po pyesim pse një njësi speciale policëve i ka drejtuar automatikët. Po sepse ka pasur të shtëna me automatik prej ndërtesave të larta. Pra, automatikë janë përdorur kur ka pasur gjuajte me armë por policët e rendit, policët që kanë qenë duke punuar në atë zonë, policët e njësisë speciale të veriut.. edhe ata janë nxjerrë jashtë prej qytetarëve serb, prej bandave atje” – ka vijuar Gashi.