Gashi: Mosndëshkimi i rasteve të rënda si krimet seksuale e inkurajon kriminalitetin

Kryeredaktori i KALLXO.com, Kreshnik Gashi, në emisionin “Kallxo Përnime”, ku po debatohet për krimet seksuale, ka thënë se është krijuar një klimë e besimit se këto raste kriminale nuk ndëshkohen.

Në lidhje me rastin e dyshuar të sulmit seksual ndaj alpinistes Mrika Nikqi në Pejë, Gashi ka përmendur dënimin e shqiptuar nga gjyqtarja Florije Zatriqi në Pejë.

“Te qytetarët është krijuar një klimë e besimit të mosndeshkëshmërisë së krimeve seksuale në vendin tonë, dhe Peja ka qenë njëra nga nismat sepse e kemi pasur një gjyqtare e cila ka shqiptuar një dënim prej 8 muajsh për një dhunim të një vajze 15-vjeçare. Krejt Peja e di atë rast” – ka thënë Gashi.

Ai tutje ka thënë se kur ndëshkueshmëria për një vepër kaq të rëndë është vetëm 8 muaj kjo e inkurajon kriminalitetin.

“Publikimi i lajmeve që ndëshkueshmëria për një vepër kaq të rëndë është vetëm 8 muaj normalisht që e inkurajon kriminalitetin, i inkurajon më bë vepra më të lehta për shkak se nuk ka ndëshkueshmëri” – ka thënë tutje ai.

Alpinistja Mrika Nikqi ka publikuar të premten videon ku shihet duke u sulmuar në një rrugicë në qytetin e Pejës. Ajo ka treguar se sulmi ka ndodhur në mbrëmjen e 27 shtatorit.

Më 30 shtator, Prokuroria e Pejës ka njoftuar se është arrestuar i dyshuari për sulmin seksual ndaj saj.