Gashi: Mesatarisht kohëzgjatja e trajtimit të lëndëve është 8 vjet e gjysmë

Suzana Gashi nga Institucioni i Avokatit të Popullit tha se sikur Kosova të ishte pjesë e Këshillit të Evropës do të ishte e mundur që rastet e shkeljes së të drejtës për gjykim në kohë të drejtë dhe të arsyeshme të dërgoheshin në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, pasi të ishin shtjerrë mjetet e brendshme.

“Avokati i Popullit në vitin 2018, na ka dalë që kryesisht në civile pasi në penale po vërtetohet që nuk ka kryesisht zvarritje.., mesatarisht e kemi nxjerrë kohëzgjatjet 8 vjet e gjysmë dhe kjo nuk është përfundimtare. Kjo pasi që me u konsideru një proces i përfunduar duhet që edhe të bëhet ekzekutimi i vendimit”, tha Gashi.

Gashi tha se për këto gjetje Avokati i Popullit e ka dërguar një raport me rekomandime tek autoritet kompetente, me qëllim të adresimit të nevojës se krijimit të një mekanizmi, që përcakton disa kritere për kohëzgjatjen e një gjykimi.

“Për shembull edhe gjatë procedurës me iu jep palëve mundësi që me u anku, pra t’u jepet mundësia që të kërkojnë përshpejtimin e procedurës, e nëse nuk përshpejtohet ata të  kompensohen, pra të rivendoset një e drejtë e shkelur”, shtoi ajo.

Gashi tha se kompensimet nga Gjykata Evropiane varen edhe nga fuqia financiare e shtetit.

“Të drejtat e njeriut kushtojnë, edhe më të mëdhaja janë nëse duhet me i kompensu”, tha ajo.