Gashi: Mediat marrin para të paargumentuara në kohë të fushatave zgjedhore

Në debatin për lajmet e rreme në emisionin “Kallxo Përnime”, kryeredaktori i KALLXO.com, Kreshnik Gashi, tha se mediat marrin para në mënyrë të paargumentuar në kohë të fushatave zgjedhore.

Këtë ai e bazoi në raportet e partive politike që i dorëzojnë në KQZ për donacionet të cilat i kanë pranuar edhe për paratë të cilat i kanë shpenzuar prej buxhetit të Kosovës në KQZ.

“Atje një pjesë shumë e vogël e parave shkojnë për marketing gjatë fushatës zgjedhore e në anën tjetër në media ka prezencë ekstremisht të madhe të hapësirës së blerë prej partive politike qoftë nëpërmjet reklamave apo transmetimeve”, tha Gashi.

“Nëse partia raporton zero donacion në KQZ, atëherë me çfarë është duke e paguar marketingun”, tha ndër të tjera ai.

Gashi u shpreh se televizionet e kanë një rregullativë për identifikimin e hapësirave të sponsorizuara nga partitë politike.

“Ndikimi i partive politike me financimin e mediave në Kosovë është bukur i madh në vendin tonë për shkak se gjatë fushatave zgjedhore ka blerje të hapësirave të marketingut të cilat në televizione e kanë një rregullativë me u identifiku si hapësira të sponsorizuara”, u shpreh ai.

Sipas tij, në portale nuk ka një rregullativë të tillë për identifikimin e këtyre materialeve.