
Kandidati i LDK-së për deputet, Arben Gashi. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Gashi (LDK): ZRrE e korruptuar deri në fyt, Albin Kurti duhet të jap përgjegjësi
Kandidati për deputet nga LDK-ja, Arben Gashi, ka përkujtuar qëndrimin që kishte shprehur vite më herët në lidhje me institucionet e pavarura.
“Në vitin 2014 unë kam pas një debat. Bile atëherë pat ba shumë jehonë, se unë pata thanë te ju që disa prej institucioneve të ashtuquajtura të pavarura është më mirë me i politizu sesa me i mbajt si të ‘pavarura’ dhe me i kontrollu politikisht”- ka thënë Gashi në “Debat Përnime”, më 06.02.2025.
Si shembull ai e mori Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, që sipas tij është institucion i “korruptuar deri në fyt”, mirëpo kryeministri Albin Kurti e konsideron si të pavarur.
“ZRrE-në e propozon Qeveria, e miraton Kuvendi. Ta rritë çmimin tri herë, ta bllokon komplet sistemin e energjisë, nuk jep liçenca, nuk jep leje. Është e korruptuar deri në fyt dhe kryeministri del dhe thotë ‘institucion i pavarur, ata janë profesionistë’, ndërkohë që vetë i ka emëruar. Vetë duhet me marr përgjegjësi kur rritet çmimi [i energjisë elektrike], vetë Qeveria, vetë kryeministri”- u shpreh Gashi.
Në këtë kontekst, ai foli edhe për ndërhyrjet politike në KEK.
“Ka institucione që duhet të jenë të pandikuara politikisht, por janë disa të tjera që duhet me marr përgjegjësi politike e jo me u fsheh. Nuk mundesh me thanë atje ‘jo unë nuk e di çka po ndodhë në KEK’, ndërkohë që bën grup në WhatsApp qysh me menaxhu KEK-un, e thu jo se atje është bordi i pavarur”- tha ai.
Gashi, konsideron që më mirë është që kryeministri t’i mbajë përgjegjësitë për dëmet që shkaktohen.
“Ma mirë është me kanë direkt me caktim prej kryeministrit dhe me marr vet përgjegjësinë kryeministri kur të ndalet rryma e të shkakton dëm mbi 750 milionë euro import të energjisë elektrike për 4 vite”- tha ai.
Gashi konsideron se si institucione me përgjegjësi politike duhen të jenë: ZRrE-ja, KEK-u, Posta, Telekomi, ndërsa si të pavarura: RTK, Komisioni i Pavarur për Media, Bordi i Ankesave të Mediave dhe disa institucione tjera.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marr pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.
RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” tha se në këto zgjedhje zyrtarisht i kemi katër kandidatë për kryeministër.
“Të gjithë i kam ftuar për me qenë pjesë e një përballjeje të përbashkët. Ju kam dërguar ftesa e ju kam treguar rregullat e debatit, por i pari që ka refuzuar me u përball me kundërkandidatët e vetë ka qenë Albin Kurti”.
Për më shumë lexoni në linkun në vijim: