
Kandidati i LDK-së për deputet, Arben Gashi. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Gashi (LDK): Vetting-un do ta nisim në vitin e dytë të qeverisjes
Në programin zgjedhor, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka paraparë vetting në sistemin e drejtësisë dhe të sigurisë, ku përfshihen Gjyqësori, Prokuroria, Policia dhe institucionet e tjera.
Kandidati për deputet nga radhët e kësaj partie, Arben Gashi, ka deklaruar në “Debat Përnime”, më 06.02.2025, se nëse LDK vjen në pushtet, vetting-un në drejtësi do ta nisin në vitin e dytë të qeverisjes.
“Brenda vitit të parë duhet të ndërtohet struktura dhe baza ligjore. Në vitin e dytë mund të fillojë procesi i vetting-ut dhe kjo mund të merr kohe”- tha ai.
Realizimi i këtij procesi, sipas Gashit, duhet të jetë i ndarë në dy shtylla: vetting-u i performancës dhe vetting-u i personalitetit, i cili përfshinë “aspektin e ndershmërisë dhe aspektin e të ardhurave financiare të personave që janë, qofshin në sistemin prokurorial, qofshin në sistemin e hetimit në Polici dhe organe tjera, qofshin në Gjykata”.
Ndërsa vetting-u i performancës, sipas tij, nënkupton vlerësimin e performancës në bazë të punës që ata bëjnë.
Vetting-u nga LDK, parashihet të jetë i vazhdueshëm duke zbatuar praktika sikur në vendet tjera.
“Ai [vetting-u] duhet të bëhet periodikisht. Duhet të shohim në disa vende e kemi 3 vjet e në disa vende e kemi çdo 5 vite. Pra, çdo 3 apo 5 vite duhet të përsëritet procesi i vetting-ut”- tha ai.
Mirëpo për këtë, ai tha se së pari duhet të ndërtohet një strukturë e pavarur e cila merret me vetting-un. E, ajo strukturë, sipas tij, duhet të jetë e besueshme dhe gjithëpërfshirëse.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marr pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.
RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” tha se në këto zgjedhje zyrtarisht i kemi katër kandidatë për kryeministër.
“Të gjithë i kam ftuar për me qenë pjesë e një përballjeje të përbashkët. Ju kam dërguar ftesa e ju kam treguar rregullat e debatit, por i pari që ka refuzuar me u përball me kundërkandidatët e vetë ka qenë Albin Kurti”.
Për më shumë lexoni në linkun në vijim: