Arben Gashi, LDK

Gashi: LDK nuk do ta votojë Qeverinë Kurti

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi ka thënë që kjo parti nuk do ta votoj Qeverinë Kurti 2.

“Në jemi në Kuvend si përfaqësues të popullit dhe do ta kryejmë detyrën tonë në bazë të asaj që na ka besuar populli, nuk do ta votojmë qeverinë Kurti”,  tha Gashi para gazetarëve.

Gashi paralajmëroi se do ta kontestojnë zgjedhjen e Kurtit kryeministër pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila nuk e kishe lejuar Kurtin që të kandidoj për deputet për shkak të problemeve me ligjin.

Sot pritet që të votohet qeveria Kurti 2.

Qeveria Kurti 1 ishte votuar më 3 shkurt të vitit të kaluar pas një koalicioni mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Qeveria e Kurti 1 është rrëzuar përmes një mocioni të mosbesimit më 25 mars, të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ndërsa më 3 qershor, deputet votuan për qeverinë Hoti, e cila erdhi pas koalicionit LDK-AAK-NISMA-Lista Serbe, të drejtuar nga Avdullah Hoti.

Ndërsa më 21 dhjetor të vitit të kaluar Gjykata Kushtetuese, e konstatoi se qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Avdullah Hoti është zgjedhur në mënyrë jo kushtetuese.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mbajtur më 14 shkurt, në këto zgjedhje LVV-ja së bashku më listën ‘Guxo’ të Vjosa Osmanit u rendit e para me 438 mijë e 335 vota apo 50,280%.

Sot është konstituar legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës. Kryetar i Kuvendit është zgjedhur Glauk Konjufca me 69 vota.