Kandidati i LDK-së për deputet, Arben Gashi. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Gashi: LDK nuk bën koalicion me Vetëvendosjen në asnjë formë

Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Arben Gashi, ka përjashtuar mundësinë e ndonjë koalicioni paszgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje.

I pyetur në “Debat Përnime” se nëse LVV-ja pranon që në krye të Qeverisë të jetë Lumir Abdixhiku, a do ta konsideronte LDK-ja koalicionin me këtë parti, përgjigja e tij ishte negative.

Ai tha se kjo pyetje parimisht do duhej të ishte për kandidatin për kryeministër Lumir Abdixhiku, por duke u bazuar në atë se çfarë ka deklaruar kryetari i LDK-së, ai tha se “nuk e sheh në asnjë formë partner qeverisës Vetëvendosjen”.

“Në asnjë formë bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje për këto rrethana momentale”- tha Gashi.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marr pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.

RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” tha se në këto zgjedhje zyrtarisht i kemi katër kandidatë për kryeministër.

“Të gjithë i kam ftuar për me qenë pjesë e një përballjeje të përbashkët. Ju kam dërguar ftesa e ju kam treguar rregullat e debatit, por i pari që ka refuzuar me u përball me kundërkandidatët e vetë ka qenë Albin Kurti”.

Për më shumë lexoni në linkun në vijim:

Objektivat e LDK-së: Marrëveshje të re në kuadër të dialogut, rehabilitim të raporteve me shtetet mike dhe kalim të Kodit Civil