Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gashi - Kurtit: 'Tap' në pozitën e kryeministrit, i harruat krejt

Kreu i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi i ka rikujtuar një shprehje të kryeministrit Albin Kurti.

Gashi ka përdorur shprehjen e Kurtit ‘Amelika’ për të ironizuar me qasjen e tij në dialog.

“Na akuzojshit neve ‘Amelika, Amelika, Amelika’, çka ndodhi në intervistën tuaj kur thatë që unë nuk isha i informuar se sa serioze ishte gjendja në veri, e mora vesh nga ambasadori amerikan. Çka është kjo metamorfozë e jotja”- tha Gashi.

“Po ta përsëris një shprehje tënden Amerika, Amerika, Amerika tap në pozitë të kryeministrit i harron krejt. Dialogu, dialogu, dialogu, Serbia tap pozitën e kryeministrit. S’ka dialog, s’ka dialog, s’ka dialog, direkt e në dialog. Ku po e çoni Kosovën, cila është strategjia juaj kryeministër kjo po na intereson neve”- shtoi ai.

Kryeministri Kurti sot është përballë deputetëve, në interpelancën e ftuar për “masat urgjente të Qeverisë në raport me situatën e krijuar në vend”.

Interpelanca është ftuar nga opozita pas situatës së krijuar në veri, për shkak të targave ilegale të lëshuara nga Serbia.

Javën e kaluar u arrit një dakordim për çështjen e targave mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas kësaj marrëveshje, Serbia do ndalojë lëshimin e targave për qytetet e Kosovës, derisa Kosova do ndërpresë veprimet në lidhje me riregjistrim të automjeteve.