
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Gashi - Kurtit: Është shndërruar në politikan i cili prodhon çdo ditë probleme për vendin e tij
Kryetari i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti që e ka shndërruar vendin në një cirk terri duke e shfaqur paaftësinë qeverisëse.
Gashi ka thënë se Kurti është shndërruar në një politikan akrobat dhe politikan i cili prodhon çdo ditë probleme për vendin e tij.
“Një vit më herët, ky kryeministër e projektonte veten si magjistar politik që do ta ndryshonte edhe rendin botëror. E kishte krijuar përshtypjen se bota ishte në pritje të tij, dhe tani kur kanë kaluar një vit, as nuk u shndërrua në politikan botëror, por u shndërrua në një politikan që në thelb i sjell vetëm probleme vendit të tij. U shndërrua në politikan akrobat që e ka shndërruar Kosovën në një cirk terri, duke shfaqur paaftësinë e tij qeverisëse. Ti e refuzove blerjen e energjisë elektrike, ti e refuzove gjitha projektet që kanë të bëjnë me thëngjill, me erë, me ujë, me solar dhe nuk ofrove asnjë zgjedhje”, ka thënë Gashi.
Gashi ka thënë se Qeveria Kurti thotë se për çmimet e energjisë nuk është përgjegjësi e tyre por e ZRrE-së.
“Sot thoni se nuk është përgjegjësi e jona por e ZRrE-së, e ZRrE-në kush e bëri, ju e keni propozu, ju e keni votu, ashtu qysh ishte përgjegjësi e qeverive paraprake edhe ZRrE edhe çdo gjë tjetër, është përgjegjësi e juve”, ka thënë ai.
Tarifat për biznese dhe 600 kilovatet e parë të amvisërisë do të vazhdojnë të faturohen me tarifat e njëjta që kanë qenë. Kurse, tarifa për konsumatorët shtëpiak për konsumin mbi 600 kËh është dyfishuar.