Granit Gashi, Asamblist
Gashi: Kryetari i Graçanicës po e shkel ligjin për vetëqeverisje lokale
Granit Gashi, asamblisti i vetëm shqiptar në Kuvendin Komunal të Graçanicës ka thënë se kryetari i kësaj komune, që vjen nga Lista Serbe, Srdjan Popoviq, po e shkel ligjin për vetëqeverisje lokale.
Gashi thotë se që tri vite kërkojnë nga kryetari i komunës që të emëroj nënkryetarin për komunitete, por, sipas tij, kjo nuk ka ndodhur.
Sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, neni 61 ku flitet për nënkryetarin për komunitete, tregohet kur kryetari është i obliguar ta bëjë emërimin e nënkryetarit.
“Komunat ku të paktën 10% e qytetarëve i përkasin komuniteteve jo shumicë duhet të kenë një nënkryetar për komunitete”, thuhet në ligj.
Sipas legjislacionit në fuqi, nënkryetari për komunitetet duhet të emërohet jo më vonë se 30 ditë, pasi posti të jetë i lirë.
Por, që tri vite, kryetari i Graçanicës nuk e ka bërë një emërim të tillë, ani pse ligji e obligon.
“Ka tri vite që edhe paraardhësi im në pozitën e asamblistit edhe unë, bëjmë kërkesa të vazhdueshme që kryetari ta përmbushë këtë obligim të tij, por ai asnjëherë nuk e ka përmbushur. Tash, më datë 24 nëntor kam kërkuar një opinion ligjit nga MAPL në lidhje me këtë, se a është duke bërë shkelje kryetari dhe cilat janë mekanizmat ligjor që kryetari ta zbatoj ligjin kryetari”, ka thënë Granit Gashi, asamblist në Kuvendin Komunal të Graçanicës.
Ai ka thënë se do t’i ndjekin edhe rrugët e tjera ligjore për të kërkuar emërimin e nënkryetarit për komunitete.
“Ne kemi drejtuar edhe një kërkesë Komisionit për vetëqeverisje lokale në mënyrë që edhe ata si komision përgjegjës ta shqyrtojnë këtë rast, po ashtu edhe javën e ardhshme do takohem me Avokatin e Popullit për ta kërkua ndihmën e tij ligjore për këtë çështje, ajo që mund të themi është se ne do të përdorim të gjitha mjetet ligjore deri në realizimin e të drejtave tona. Nëse do të jetë nevoja ne do t’i drejtohemi edhe Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë ai për KALLXO.com.
KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në adresë të kryetarit të Komunës së Graçanicës, Srdjan Popoviq, por ai nuk është përgjigjur.
Granit Gashi, së fundmi ka kërkuar një opinion ligjor edhe në Ministrinë e Pushtetit Lokal për të parë hapat e tjerë të veprimit rreth kësaj çështjeje.